e martë, 16 tetor 2012

Vetvendosje: Rezoluta e PDK-së, nënshtrim ndaj Serbisë....

Prishtinë – Sot, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, Grupet Parlamentare të PDK-së, AAK-së, KKR-së, SLS-së dhe Grupit 6+, sollën një Rezolutë që thuhet të jetë për normalizimin e maredhenieve midis Republikes se Kosoves dhe asaj te Serbise. Kjo Rezolutë do të diskutohet në Kuvendin e Kosovës të enjten që vjen... Pa dyshim që kjo Rezolutë ka për qëllim ta legjitimojë fillimin e dialogut politik me Serbinë dhe, ashtu siç thuhet në pikën e saj të katërt, të autorizohet ‘Qeveria e Republikës së Kosovës që të udhëheqë me këtë proces, me pjesëmarrje të Komisioneve të nevojshme të Kuvendit të Kosovës’. Ky dialog me Serbinë, pa kushte për Serbinë dhe për çështje që janë të Kosovës, është i padrejtë dhe i dëmshëm. Rezultati i tij do të jetë avancimi i Serbisë drejt BE-së dhe avancimi i veriut të Kosovës me Serbinë.

Rezoluta e pranon se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk janë normale, por nuk përmend asnjë arsye se pse këto marrëdhënie janë abnormale. E kaluara dhe e tashmja e Serbisë në Kosovë janë kriminale. Ata asnjëherë nuk e ndryshuan qëndrimin dhe qëllimin e tyre ndaj shqiptarëve. Dhe tash pushteti në Serbi, me koalicionin e zëvendësit të Sheshelit dhe zëdhënësit të Milosheviqit, është i linjës nazi-fashiste. Prandaj, është alarmues fakti që disa subjekte politike duan që Kosova ta lus prapë Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve. Sipas kësaj Rezolute, Republika e Kosovës e njeh Republikën e Serbisë ndërkohë që dihet se nuk vlen anasjelltas. Në fakt, një këso Rezolute do të duhej ta miratonte Kuvendi i Serbisë dhe jo Kuvendi i Kosovës.

Në kohën kur Qeveria e Kosovës ka më pak se gjysmën e deputetëve të Kuvendit që e mbështesin, disa deputetë opozitarë po i bashkohen Qeverisë. E, kur t’i bashkohesh kësaj Qeverie nuk mund të mos i bashkohesh në bisedime me Serbinë dhe në privatizimin e Kosovës.Lëvizja VETËVENDOSJE! ju bën thirrje edhe njëherë deputetëve të partive opozitare që të mos e ndihmojnë këtë Qeveri e cila kurrë nuk ka qenë më e dobët dhe kurrë nuk e ka dobësuar më shumë Kosovën. Kosova nuk bëhet me sovranitet dhe integritet territorial duke dialoguar me Serbinë. Kosova nuk zhvillohet ekonomikisht duke u shitur pasuria publike. Kosova nuk mund të ketë ditë të mira me këtë Qeveri.

Nuk ka komente:

Posto një koment