e enjte, 11 tetor 2012

Panariti telefonon Avramopulos mbas rasteve që policia greke ktheu në kufi fëmijë shqiptarë...!!!

Në pikën kufitare të Kakavijës policia greke ka ndaluar kalimin e disa fëmijëve të emigrantëve shqiptarë, për shkak të mënyrës së shkrimit të vendlindjes greke në dokumentat e tyre.
Në çertifikatat e lëshuara në Shqipëri, emrat e qyteteve të Greqisë janë shkruar në gjuhën shqipe dhe jo sipas transkriptimit tekstual të toponimeve greke, siç kërkohet aktualisht nga policia e këtij vendi. Këto raste janë të shumta, me mijëra, të fëmijëve të lindur në Janinë, Selanik e gjetiu. Pala greke kërkon që emrat e qyteteve greke të lindjes, të shkruhen sipas një marrëveshjeje ndërkombëtare dhe jo në gjuhën shqipe. Pra Thessaloniki jo Selanik, Kastoria jo Kostur, Florina jo Follorinë etj.

Shkrimi i emrit të vendlindjes së fëmijëve që kanë lindur në Greqi pas vitit 1991 në dokumentat e tyre, ka rreth një vit që është bërë pengesë për shqiptarët që jetojnë në këtë vend, dhe 'Gazeta Shqiptare', 'News 24' e 'Balkanweb' e kanë evidentuar problemin duke sensibilizuar edhe autoritetet përgjegjëse për zgjidhjen e tij.

Gjatë vizitës në Athinë në 3 tetor, ministri i Jashtëm shqiptar Edmond Panariti ra dakort me homologun e tij grek Dimitris Avramopulos për përdorimin e vulës apostile në dokumenta, në mënyrë që të tejkalohet ky problem, por deri sa të nënshkruhet marrëveshja dhe të zbatohen vendimet që rrjedhin prej saj, mesa duket pala greke vazhdon të shkaktojë shqetësim për emigrantët shqiptarë.

Ministri Panariti zhvilloi për këtë çështje një bisedë telefonike me homologun grek Avramopulos, të cilit i shprehu shqetësimin për rastet e ndalimit të shqiptarëve në kufi. Panariti kërkoi që për dy muaj të vazhdohet me praktikën e vjetër të njohjes se dokumenteve, deri në arritjen e një marrëveshjeje.

Ministri grek Avramopulos premtoi se pala greke do të vazhdojë të ushtrojë praktikën e vjetër për hyrje-daljet në kufi. 

Nuk ka komente:

Posto një koment