e premte, 12 tetor 2012

Takimi i Presidentit me ish-të përndjekurit pa rezultat: "Do monitoroj zbatimin e ligjit"

TIRANË – Ka përfunduar pa rezultat konkret takimi i Presidentit Bujar Nishani me përfaqësues të grevës së urisë të ish-të burgosurve politikë.
..Tre përfaqësuesit e ish-të burgosurve janë shprehur se kanë parë gatishmëri tek Presidenti, “për të gjetur një zgjidhje, por nuk kemi mbërritur në një përfundim”.

Ndërkohë në komunikatën për shtyp të lëshuar nga zyra e shtypit të Presidentit thuhet se, “rrezikimi i jetës, jo vetëm i dy pjesëtarëve të grevës, por edhe gjithë grupit të grevistëve, duhet të shmanget në respekt të vlerës që jeta ka” dhe mbyllet me fjalët se “duhet shmangur përdorimi politik i grevës”.

Në komunitkatë theksohet se për këtë shtresë duhet të ketë një zgjidhje “si një mundësi rehabilitimi social dhe jo thjesht si dëmshpërblim monetar”. Nishani ka nënvizuar se, “do të ndërmarrë nismën për ndjekjen në vijimësi të procesit të zbatimit të ligjit për kompensimin financiar të ish-të përndjekurve politikë dhe për këtë do të kërkojë informacion të vazhdueshëm nga Ministria e Financave dhe e Drejtësisë për zbatimin e këtij ligji”.



Ndreca dërgohet për kurim në Greqi

Gjergj Ndreca, ish-i burgosuri politik, i cili i vuri zjarrin vetes në shenjtë proteste ndaj mos mbajtjes së premtimit nga qeveria për dëmshpërblimin e ditëve të burgut, do të dërgohet për kurim në Greqi.

Ndreca i cili mori djegie në 40% të trupit do të dërgohet në Athinë me ndihmën e Partisë Socialiste. Përfaqësuesja e PS-së, Keti Bazhdari, me këtë rasti i ka bërë thirrje qeverisë që, “të kuptojë që kjo është një grevë ekonomike dhe jo politike”.

“I bëjmë apel qeverisë të negociojë me ish-të burgosurit politik që të mos shohim më akte të tilla”, tha Bazhdari.

Përveç Ndrecës, edhe Lirak Bejko, i vuri zjarrin vetës. 47-vjeçari ka pësuar djegie të një shkalle më të lartë se Ndreca por ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore. Kurse dje edhe një tjetër ish-i i burgosur politik tentoi të bënte një gjë të tillë por është penguar nga policia.

Ish-të burgosurit politikë kanë hyrë sot në ditën e 21 të grevës së urisë. Ata kërkojnë kompensim të menjëhershëm për ditët e burgut, ku sipas vendimeve të qeverisë atyre duhet t’u paguhet çdo ditë 2 mijë lekë.

Nuk ka komente:

Posto një koment