e premte, 12 tetor 2012

Një Shqipëri për të “fluturuar”, drejt...Botërorit

Një Shqipëri për të “ëndërruar” dhe fluturuar drejt Botërorit. Kjo është ajo që të gjithë ne presim sot pas 90 minutave me Islandën..
. Një përfaqësuese që të fitojë ndeshjen më deçizive të eliminatoreve, duke marrë tri pikë, e duke u projektuar drejt të martës, për një tjetër tre pikësh që do të na çonte në krye të grupit e do të na vinte “etiketën” si pretendente për një biletë në Brazil. Do të ishte një mrekulli më vete për skuadrën tonë që nëse fiton dy ndeshjet është me të vërtetë për t’u konsideruar si ekip surprizë i grupit E. Dihet që nuk do të jetë e lehtë, sepse përballë skuadra e De Biazit do të ketë një kundërshtar shumë të fortë, që është rritur në vite dhe që nuk është ekipi i fundit i grupit. Thënë shkurt, do të jetë një ndeshje tejet e rëndësishme për skuadrën kuqezi, për objektivat e saj dhe për atë që ajo kërkon të bëjë këto eliminatore. Është ndeshja kyç e Shqipërisë dhe në këtë sfidë nuk lejohen gabimet. Në të kundërt do të ishte një katastrofë për ekipin tonë kombëtar, sepse me një barazim apo humbje do të ishim jashtë eliminatoreve pa qëllim dhe pa objektiva.


De Biazi: Sa më shumë në stadium, aq më lehtë mundim Islandën

Xhani De Biazi është i bindur se Shqipëria nuk do të zhgënjejë kundër Islandës. Edhe pse trajneri i Shqipërisë, vazhdon që të jetë i matur në deklaratat e tij ai pranon se duhet të qëndrojmë me “këmbë në tokë” para ndeshjes me islandezët. Gjithsesi, italiani, duke kërkuar ndihmën e tifozëve shprehet se: “Fusha do të thotë të vërtetën. Momentalisht jemi më mirë se kundër Qipros. Djemtë janë të përqendruar. Ne nuk jemi Reali apo Spanja dhe nuk e dimë nëse do t’i fitojmë të dyja këto ndeshje. Ne do të bëjmë të pamundurën për të fituar këto dy sfida, edhe pse diferencën do ta bëjnë gabimet tona apo mënyrën sesi do ta luajmë ndeshjen e parë. Kemi nevojë për ndihmën e tifozëve. Sa më shumë të jemi aq më mirë dhe aq më lehtë do ta fitojmë ndeshjen. Kundërshtarët janë të fortë në mbrojtje dhe mezi u shënon gol. Të fortë në ajër dhe në kundërsulm. Janë me pak fjalë, një skuadër që ne duhet ta ‘shkallmojmë’. Duhet të kemi durim dhe të shfrytëzojmë çdo mundësi që do të kemi në duar”,-është shprehur trajneri i kuqezinjve, dje në daljen e fundit për mediet.

Formacioni, me pak dilema, Curri në fushë?

Italiani Xhani De Biazi duket se ka ndarë mendjen për formacionin. Paçka se nuk e ka bërë të ditur 11-en, trajneri ka vendosur se cili do të luajë. Me një parashikim në portë do të luajë Ujkani. Dilemat janë në mbrojtje dhe mesfushë, ku Curri dhe Dallku lëvizin të gjithë skuadrën. Mendohet se Dallku është në balotazh me Lilën, në qendër me versionin e ri Mavraj dhe Curri do të jenë titullarë. Majtas, kthehet Agolli. Në mesfushë, shtyhet Loriku së bashku me Mehën, Roshin dhe Bulkun. Edhe në sulm mund të ketë surpriza me Bogdanin dhe Salihin nga minuta e parë, edhe pse italiani është mësuar që të bëjë ndonjë lëvizje në sekondën e fundit.

Kapiteni

Cana: Luajmë shansin tonë të madh

Lorik Cana i ka idetë e qarta. Skuadra duhet të marrë 6 pikë dhe të fitojë çdo ndeshje në shtëpi. Islanda teorikisht duhet të jetë kundërshtari i radhës që do të njohë forcën e kuqezinjve të cilët kanë nisur rrugën pa kthim drejt Botërorit. Para ndeshjes së sotme kapiteni nga Durrësi pranon se: “Jemi të fokusuar për këtë ndeshje ashtu siç na ka kërkuar trajneri. Nuk do të jetë e lehtë por do të shohim një Shqipëri që do kërkojë maksimalisht fitoren. E kemi analizuar kundërshtarin dhe forcën dhe mund të them se na pret një ndeshje e vështirë, por ne kemi kualitete për të mbyllur këtë ndeshje. Nuk kemi një yll Botëror, por jemi një skuadër e bashkuar që së bashku me tifozërinë bëhemi një fuqi e pa mbajtshme. Stadiumi ynë është nga më të vegjlit në kontinent, por kundërshtarëve u bën përshtypje ndikimi i tifozërisë. Me 10 apo 12 mijë tifozë, ne “tundim vendin”, duke habitur Francën apo ekipe të tjera që luajnë me 70 mijë tifozë në stadium. Ekipi ynë është në rritje e sipër, por lojtari i 12-të për ne është tifozëria që do të na ndihmojë për të mbledhur sa më shumë pikë në shtëpi. Ne do të luajmë për të fituar të dyja ndeshjet. Luajmë shansin tonë të madh, ndonëse nuk dihet nëse do ta arrijmë një gjë të tillë”,-ka mbyllur kapiteni i kuqezinjve, pak orë para sfidës së sotme.

Lagerbak: Duhet të kemi respekt për Shqipërinë

Trajneri kundërshtar Lars Lagerbak është i bindur se ekipi i tij Islanda do të marrë pikë në Tiranë. Paçka vështirësisë se kuqezinjtë në shtëpi janë skuadër model ai pranon se: “Shqipëria është një ekip i mirë, që të imponon respekt. E kemi vlerësuar shumë kundërshtarin, për më tepër që unë personalisht kam njohje të konsiderueshme. Shqipëria ka lojtarë fizikisht të fortë dhe gjithashtu emra, të cilët mund të bëjnë diferencën, pra të të hapin telashe. Në të kaluarën Shqipëria ka qenë disi e pafat për sa u përket rezultateve. I kam ndjekur edhe së fundmi dhe mendoj se nën drejtimin e trajnerit italian janë organizuar mirë. Shikoj një skuadër të vendosur mirë në fushë dhe që ka një disiplinë taktike. Si lider të Shqipërisë shikoj Lorik Canën. Është një lojtar që e vlerësoj shumë te kundërshtari”,-është shprehur trajneri i islandezëve, Lars Lagerbak.

Në avantazh dhe favoritë kuqezinjtë

Shqipëria është në avantazh për sa i përket ndeshjeve direkte mes kuqezinjve dhe Islandës. Në tre përballje skuadra jo ka fituar dy prej tyre, njëra miqësore dhe dy për eliminatoret e Europianit të 1992-it. Ndeshjen e parë me islandezët më 30.5.1990 skuadra jonë e ka humbur në Rekjavik me rezultatin 2-1. Një vit më pas kuqezinjtë kanë fituar në Tiranë, 1-0, ndërsa në miqësoren e vetme në vitin 2004, skuadra e drejtuar asokohe nga Brigel, pat fituar 2-1. Bilanci i përgjithshëm i golave 4-3. Po kështu në bazë të kuotimeve të specialistëve të basteve, kuqezinjtë janë ata të cilët do të fitojnë këtë sfidë.

Ndeshja në orën 19:00, gjykon një finlandez

Zyrtarisht ndeshja do të luhet në orën 19:00. Mësohet se është vendosur kështu, pra në këtë orë që takimi të shihet edhe në Islandë. Ndërkaq, takimin Shqipëri-Islandë do ta drejtojë një gjyqtar finlandez. FIFA ka vendosur të katër gjyqtarët do të jenë finlandezë. Toni Asuma. Ndihmës të tij do të jenë Mati Heininen, Marko Haeninen dhe Jari Jarvinen. Asuma është gjyqtar i grupit të parë të FIFA-s, ku bëjnë pjesë “bilbilat” më të mirë të Botës.

Biletat fallco

Biletat fallco, duket se kanë mbushur disa cepa të Tiranës. Kjo ka alarmuar pa fund FSHF-në që dje edhe një herë me anë të një njoftimi ka kërkuar nga tifozët që të mos i drejtohen ambulantëve të rrugës, por pikave të caktuar në të gjithë Shqipërinë për të blerë bileta për ekipin Kombëtar.

FORMACIONI I MUNDSHËM I ISLANDËS

4-4-2

Halldorson, Steinson, Arnason, Sigurdson, Eirikson, Gunarson, Bjarnason, Gislason, Halfredson, Sigurdson, Finbogason
Kuqezinjtë luajnë sot ndeshjen e tretë kualifikuese për Botërorin e 2014-ës. Përballë Islanda një kundërshtar që duhet mundur, për të shpresuar tek një tjetër fitore të martën me Slloveninë

Nuk ka komente:

Posto një koment