e shtunë, 13 tetor 2012

Rama mbledh biznesin e madh, debat për sistemin e taksimit...

Partia Socialiste zhvillon tryezën me biznesin për programin ekonomik: Do rishikojmë Lotarinë Kombëtare.

“Taksa progresive për të ardhurat personale do jetë mesatarisht 8%” Partia Socialiste do të rishikojë licencën e Lotarisë Kombëtare, duke ia kthyer atë publikut. Ky ishte premtimi që Edi Rama dha para biznesit të madh në vend dhe grupeve të interesit në tryezën e dytë me biznesin për pjesën ekonomike të programit të saj “Rilindje Shqiptare”. “Ne do ta rishikojmë Lotarinë Kombëtare dhe do t’ia kthejmë publikut. Askush të mos mendojë se këto janë deklarata para zgjedhjeve dhe se pastaj ne do dalim e do themi ‘jo, po shiko se marrëveshja është e tillë që nuk mund…’. Jo! Ka forma që ne i kemi tanimë të mbledhura, nga më të ndryshmet, me të cilat shteti përmes qeverisë rivë në vend të drejtën e publikut në raport me çdo sipërmarrje. Ne nuk duam të cenojmë askënd, ne nuk duam të bëjmë gjueti shtrigash ndaj askujt”, u shpreh Rama. Çështja kryesore ku u përqendruan dhe diskutimet e pjesëtarëve të shoqatave të biznesit dhe dhomave të tregtisë, ishte taksa progresive për të cilën socialistët këmbëngulin se do t’i krijojë lehtësim dhe vetë biznesit. Rama deklaroi dje dhe masën e taksës progresive që PS mendon të vendosë pas ardhjes në pushtet. “E vërteta është që taksa progresive në të ardhurat personale që ne kemi në planin tonë, në mesatare do ta ketë ngarkesën jo 10, por 8%. Në mesatare, jo 10, po 8% dhe do të lehtësojë nga ngarkesa aktuale 90% të njerëzve të punësuar në këtë vend, që paguajnë taksa. Ju jeni të parët që e dini, që lehtësimi i shtresës së mesme është një vlerë që kthehet te ju dhe te biznesi duke rritur konsumin. Sepse sot jemi përballë rënies dramatike të fuqisë blerëse, që ka çuar në rënien dramatike të konsumit”, u shpreh Rama. Mbi 70 përfaqësues të biznesit të madh në Shqipëri, përfaqësues të shoqatave ngritën problemet që hasin sot në marrëdhëniet me biznesin dhe qeverinë, lidhur me monopolet, administratën tatimore etj. Një pjesë e tyre u shprehën skeptikë lidhur me taksën progresive që PS kërkon të zbatojë, por në përgjithësi vlerësuan tryezën e PS me sipërmarrjen. Duke vijuar me çështjen e taksës, Rama tha se “nuk ka asnjë provë që të tregojë se taksa e sheshtë ka ndihmuar për të ndërtuar një ekonomi që zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme për të rritur investimet e huaja, për të nxitur investimet vendëse”. Për Partinë Socialiste, taksa progresive do aplikohet vetëm për të ardhurat personale, por jo për bizneset. “Të vazhdojmë të analizojmë dhe të punojmë me ekspertët tanë dhe me ekspertë të huaj deri në një artikulim të detajuar dhe transparent të gjithë politikës sonë fiskale në radhë të parë, duke ju garantuar që vlera e progresivitetit nuk është kërcënim për ju. Ne nuk përfytyrojmë një skemë progresiviteti klasik, kur vjen puna te kompanitë. Ndërkohë që te të ardhurat personale tanimë e konsiderojmë një pjesë të mbyllur të këtij kapitulli”, u shpreh Rama.


Diskutimet në tryezën e PS me biznesin
Irfan Hysenbelliu: Komunikimi është gjëja më e mirë që duhet të vendoset mes politikës dhe biznesit. Nëse do të flasim për monopolet, normalisht monopole ka pasur edhe në kohën e mëparshme të qeverisjes, kur ka qenë edhe zoti Rama, por ka edhe sot tepër të dukshme në syrin e shqiptarit. Dhe një pjesë nga ata njerëz që kanë qenë atëherë, janë edhe sot. Uroj që të përcaktojmë një rregullore të qartë apo një draft ligjor, i cili të lexohet më përpara nga biznesi dhe pastaj të vejë edhe më lart dhe të aprovohet. Që të mos ndodhë siç ka ndodhur në dy kohërat. Në kohën e ministrit Ridvan Bode, që është dhe tani, e merr draftin dhe e çon pa u konsultuar me biznesin, por edhe në kohën e zotit Rama, kur u vendos 5%-shi i ndërtimit, nuk patëm ndonjë konsultim, por e morën papritur. Kështu që mendoj se dhe te zoti Rama është një reflektim i madh gjatë kësaj kohe, ndaj edhe fjalimi është shumë herë më i mirë, që dhe ne e vlerësojmë, për të parë klimën me biznesin në të ardhmen. Ndërsa, sa i përket Lotarisë Kombëtare që u diskutua këtu, unë nuk dëshiroj të jetë një shoë, sepse sa u bllokua ose nuk u mor licenca e AlbTelecom në kohën e Fatos Nanos, ashtu do të jetë edhe për Lotarinë Kombëtare, sepse ata kanë qenë miqtë tuaj dhe janë miq në hije, normalisht janë edhe miq të pushtetit. Kështu që në komunikimet që kemi, duhet të jemi më transparentë që dhe ne të jemi më të besueshëm. Biznesi do një kuadër ligjor të saktë, që të ketë një ligj të tillë që monopolet të mos krijohen, sepse monopolet dihet se ç’janë. Konkurrenca të jetë e lirë në treg. Si në kohën e kaluar, edhe tani prapë një pjesë i marrin tenderimet. Nëse do aprovohet një draft ligjor i saktë dhe do të lexohet nga biznesi, unë do të jem nga mbështetësit kryesorë. Nëse ky draft nuk do jetë, do të jem shumë pesimist dhe nuk mendoj se do ketë ndonjë ndryshim.
Edi Rama: Unë nuk kam qenë në qeveri dhe jam futur në PS se doja një PS siç duhet të jetë. Dhe në rast se i referohemi periudhës kur unë kam administruar Tiranën, është bërë propagandë intensive për lejet e ndërtimit, por ka një fakt se në rreth mbi 1 mijë leje ndërtimi që ka dhënë Bashkia e Tiranës kur unë e drejtoja, janë mbi 300 subjekte që kanë marrë leje ndërtimi. Ndërsa sa i përket ekzistencës së monopoleve gjatë këtyre 7 viteve, është agravuar problemi, ashtu sikundër askush nuk mund të pretendojë se në një mandat mund të zhduket korrupsioni”.
Nikolin Jaka: “Lidhur me taksat si Dhomë Tregtie kemi kërkesa të hershme, qeveria aktuale apo opozita duhet ta mendojë mirë futjen e sistemit të TVSH-së, pasi shumë sipërmarrës të mëdhenj thonë se malli i tyre nuk shoqërohet me faturë të TVSH-së nga biznesi i vogël. S’mund të lë pa përmendur problemet që sot sipërmarrja ka. Është shumë i rëndësishëm komunikimi me grupet e interesit. Ka mosbesim të administratës ndaj sipërmarrjes. Industria e ndërtimit është në kolaps. Një rindërtim i marrëdhënies së këtij sektori me administrimin fiskal është i nevojshëm. Heqja e taksës së biznesit të vogël është një premtim që ju e keni parashikuar, ne si Dhomë Tregtie mbështesim çdo iniciativë që ndikon në heqjen apo uljen e taksave”.
Luan Bregasi: “Këto komunikime që organizon opozita ne i mirëpresim, pasi mund të ndikojmë me mendimet tona për të rregulluar marrëdhëniet e sipërmarrjes me qeverinë, marrëdhëniet e punës etj. Për taksimin e ndershëm ju vazhdoni të këmbëngulni dhe kjo tregon se e keni seriozisht, dhe ju jeni të bindur se kjo mund të jetë më e mirë se taksa e sheshtë. Unë do të propozoja që këto nuancat e reja si taksë progresive mbi pagën, apo taksë e ndershme duhen zbërthyer. Unë nuk e di si do të bëhet dhe mendoj se duhet të ketë debate akademike për këtë. Nëse ju do e llogarisnit vetëm si një çështje elektorale, mund të kishit thënë: do ta bëjmë si thoni ju. Ne na pëlqen taksim i ndershëm, por duhet shtjelluar, mendoj se duhet një takim edhe akademik. Ju thatë se jeni shumë mirënjohës që ne jemi këtu, por edhe ne po ashtu. Ka sektorë që s’duhet të futen në sistemin e taksimit të sheshtë, sepse është turp. S’mund të paguajë një kompani monopol në treg taksë të sheshtë. Ky është turp. Gjërat që ju propozoni sot duhet të jenë të argumentuara me debate akademike.
Floreta Luli Faber: Është shumë e rëndësishme që biznesi të jetë pjesë e konsultimeve kur kemi të bëjmë me hartimin e politikave që prekin administrimin e tyre. Nëse themi që gjithmonë e më shumë do dëgjojmë zërin e biznesit, atëherë duhet të ketë një mundësi që këto komente të shtrohen nëpër tavolina. Është shumë e rëndësishme që legjislacioni për biznesin të mos ndryshojë në mënyrë të vazhdueshme, ndryshime për të cilat shpesh nuk ka as njoftime. Të vendoset një afat kohor brenda të cilit asnjë qeveri mos të bëjë ndryshime në ligj, të paktën dy muaj para se të shpallet publikisht dhe të kenë dhënë idetë e tyre edhe palët e interesuara.
Luigj Aleksi: Ne e shikojmë të vetmen mundësi ku mund të shtrojmë alternativat. Sektori i ndërtimit ka një rëndësi specifike, sepse ai merr dhe vë në lëvizje të gjitha industritë kur nis të punojë. Me ndryshimet e panumërta fiskale, ka ndodhur që janë vendosur me çmime të obliguara zërat e punës. Vetëm drejtori ka mbetur pa u caktuar nga shteti dhe pastaj do quheshin ndërmarrje shtetërore me pronar privat. Kryhen kontrolle fiskale, akti nuk kontestohet dot, sepse duhet paguar më parë. Ndërtimi është parë si një lopë për t’u mjelë, por po nuk e ushqeve, rrezikon të ngordhë. Kërkojmë bashkëpunim dhe partneritet.
Ferdinand Ibrahimi: Në transportin urban ndryshe trajtohet Tirana, ndryshe rrethet. Subvencionimi në Tiranë njihet, ndërsa në rrethe jo. Janë investuar 19 milionë euro në qytetin e Tiranës dhe ndërkohë 40% e njerëzve udhëtojnë thuajse falas. 6 kompanitë që operojnë në kryeqytet kanë hyrë në kolaps.
Elisabeta Katia: Qeveria Berisha nuk e rimbursoi TVSH-në për investimet në makineritë e pajisjet. Ligji i sigurimeve nuk parashikon periudhën e provës dhe trajnimit, kjo është një kosto për t’u eliminuar. Një propozim për qeverisjen tuaj të sigurt të nesërme, rëndësia e dhomave të tregtisë duhet të rritet.
Gjergj Buxhuku: Zoti Rama, është kënaqësi të dëgjoj një diskutim të hapur dhe të çiltër që bëhet me biznesin nga një forcë politike shumë serioze pretendente për të ardhur në pushtet vitin e ardhshëm, dhe mendoj se shenjë e seriozitetit të kësaj force është dhe fakti që u tregua sot se nuk vjen në pushtet për të zhbërë gjithçka, por për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Ju keni marrë parasysh propozimet që ne kemi bërë 7 muaj më parë në tryezën e parë dhe kjo është shprehje e seriozitetit dhe uroj që ta vazhdoni këtë reflektim, siç ishte rasti i taksës progresive apo të sheshtë, që të mos ketë një taksë që shtrihet në të gjithë biznesin shqiptar, por vetëm në ato që përfitojnë licenca shtetërore, punojnë në sektorë të privilegjuar nga shteti dhe kanë rentabilitet të lartë. Unë do doja të shihja nga ju dhe vënien në eficiencë të Gjykatës Administrative.

Nuk ka komente:

Posto një koment