e shtunë, 13 tetor 2012

Erdogan kritikon ashpër Këshillin e Sigurimit të OKB-së...

Turqia akuzon Këshillin e Sigurimit të OKB-së, si të pa drejtë. Duke iu referuar situatës në Siri, kryeministri Erdoan ngriti dyshimet për misionin e OKB-së dhe vendimmarrjen brenda Këshillit të Sigurimit,... duke thënë se humaniteti dhe vlerat njerëzore varen nga vetot e një apo dy shteteve, duke i referuar Rusisë dhe Kinës. Me këtë gjuhë, Erdoan përkeqëson sërish marrëdhëniet edhe me Rusinë, edhe me Sirinë, për të cilën kërkon ndërhyrje ndërkombëtare.

“Nëse e lejojmë çështjen tek vota e një apo dy anëtarëve të përhershëm të OKB-së, atëherë makthi në Siri mund të jetë akoma më i rrezikshëm. Njerëzimi ka për t’i mbajtur mend dhe për t’i shkruar këto anashkalime të paharrueshme”, tha Rexhep Taip Erdoan, kryeministër i Turqisë.

Erdoan shprehu tezën për ndryshimin strukturat të OKB-së, duke thënë se, mënyra se si funksionon aktualisht, ngjallë pabarazi dhe vetëm luftë interesash mes të mëdhenjve.

“Është momenti më i duhur për të marrë në konsideratë një ndryshim strukturor për institucionet ndërkombëtare, veçanërisht për Këshillin të Sigurimit të OKB-së. Çdo ditë bëhet gjithnjë e më e vështirë për institucionet ndërkombëtare me padrejtësi, pabarazi dhe mekanizma jo efikas për të funksionuar dhe përmbushur detyrën e tyre”, tha Rexhep Taip Erdoan, kryeministër i Turqisë

Ndërkaq, pas dy incidenteve të rënda në marrëdhëniet mes Sirisë dhe Turqisë, Damasku Zyrtar sot kërkoi krijim e një komiteti sigurie të përbashkët me Ankaranë për të mbikëqyrur rajonet kufitare mes dy shteteve. Ministria e Jashtme siriane pranoi se kishte mbërritur në këtë ide, me ndihmën e aleatëve të tyre të ngushtë, Rusisë. Bëhet fjalë për një

“Komitet sigurie turko-sirian, që do të kishte si përgjegjësi dhe mision kryesor, krijimin e një mekanizmi për mbikëqyrjen e kufijve mes dy vendeve. Vetë ky mekanizëm do të kishte detyrë mbrojtjen dhe respektimin e sovranitetit kombëtar dhe integritet territorial të të dy vendeve”. Kjo lëvizje ende nuk është komentuar nga Ankaraja e cila ka bërë të ditur se nuk do të kurset, as ndaj Sirisë dhe as ndaj Rusisë. Incidenti i parë ishte ai i lëshimit të disa predhave nga Siria në rajonet kufitare turke ku humbën jetën 5 shtetas të saj. Pas kësaj, Turqia iu kundërpërgjigj me të njëjtën formë, duke theksuar se do të mbrojë me çdo kusht integritetin territorial si dhe qytetarin e saj. Edhe sot, Turqia vazhdoi të dislokonte tanke të tjerë përgjatë vijës kufitare me Sirinë, ndërkohë që ushtria e Bashar Al Asadit ka intensifikuar sulmet kundër bastioneve kryengritësve. Ndërkaq, incidenti i dytë ishte ai i para dy ditëve, kur Turqia detyroi të aterronte një avion civil rus, duke thënë se në bordin e tij kishte edhe armë dhe teknologji ushtarake ruse që i dërgoheshin ushtrisë siriane për të shtypur kryengritësit. Sipas Turqisë, hapësira e saj ajrore nuk do të përdoret për shkelje të tilla ndërkombëtare, e aq më tepër kundër vrasjes së civilëve sirianë.

Nuk ka komente:

Posto një koment