e mërkurë, 17 tetor 2012

Gjykata: Të shpërndahet greva. Ish- të përndjekurit: Do hedhim shortin e vdekjes...

Gjykata e Tiranës ka vendosur të shpërndajë grevën e ish të përndjekurve politikë, pasi sipas saj, ajo është e paligjshme. Padia kundër kësaj greve është bërë nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, e cila e konsideron grevën kundër ligjit, sepse në të janë kryer disa vepra penale. Vendimi ka sjellë menjëherë reagimin e ish të përndjekurve grevistë..."Morri një vendim tejet të gabuar në kundërshtim me çdo lloj të drejte që kanë qytetarët në Shqipëri për të protestuar. Në një shtet, në një vend që nuk funksionon ligji, demokracia ka vdekur", tha grevisti Fatmir Lamaj.

Grevistët thonë se nuk do të largohen nga çadrat dhe nuk e njohin vendimin e gjykatës. Koordinatori i grevës së urisë tha për mediat se nëse do të përdoret forcë për heqjen e grevistëve do të ketë viktima, ndërsa tashmë është siguruar një tjetër vend për vazhdimin e kësaj forme proteste.

"Unë gjithë këto ditë kam heshtur se do bëjmë negociata, por qeveria po na e kthen përmbys gjithçka. Unë do ti bëj thirrje ul tensionin, ndryshe do të kesh kufoma. Nuk do të ndalemi, kjo grevë do të vazhdojë në vend tjetër, është gati vendi i piketuar", tha Asllani, koordinator i grevistëve.

Pas deklaratës së kryer në emër të grevistëve, Fatmir Lamaj u transportua në urgjencë sepse pati probleme në zemër ndërsa shefi i Komisariatit numër 2, Dritan Dorda erdhi pranë grevistëve me vendimin e gjykatës, e cila e cilësoi si të paligjshme dhe kërkoi shpërndarjen e grevës. Në këtë moment ish të përndjekurit kanë refuzuar të dalin nga çadrat ndërsa thanë se do hedhin shortin e vdekjes.

"Do e hedhim me short kush e ka radhën për të vdekur, kemi një letër me vrimë dhe shtatë të tjera, kujt t?i bjerë do vetëflijohet. Do marrim vendim të njëjtë me atë të Gjergj Ndrecës. Ky nuk është presion, por thirrje për të gjitha ata politikanë që të vijnë këtu. Apel të gjithëve të ulemi të diskutojmë dhe të arrijmë një marrëveshje në bazë të pikave që ne kemi kërkuar", tha ai.

Në ditën e 26 të grevës së urisë në çadrat e ngritura pranë "komunës së Parisit" kanë mbetur 7 ish të përndjekur, të cilët kërkojnë dëmshpërblim për vitet e burgut të kryera në kohën e diktaturës.

Nuk ka komente:

Posto një koment