e hënë, 11 shkurt 2013

Marin Mema: Kundërshtar me ekstremistët antishqiptarë

Një nga “thesaret” e gazetarisë shqiptare, i cili ndjenjat atdhetare e vlerat më të larta kombëtare i shfaq përmes profesionit të tij, duke u përfshirë kryesisht në gazetarinë hulumtuese; me raportimet e tij që shkojnë sa nga korrupsioni qeveritar te abuzimi me të drejtat e njeriut, sa nga transmetimi i vuajtjeve të shqiptarëve në zonat periferike të vendit, aq duke lëvruar në lëmin historik të trashëgimisë shqiptare, ai, pra, Marin Mema, na vjen sot përmes një interviste të gjatë, ndofta e para e këtij lloji, ku flitet për gjithçka e çdo gjë, jo aq për jetën e tij, sesa për atë që ai qenësisht ia ka dhuruar Shqipërisë dhe shqiptarëve: raportimet e drejta, pa servilizëm, e tepër objektive, duke sjellë realitetin e zonave të humbura e të braktisura në sytë e publikut në mënyrë ashiqare, ashtu siç janë, përmes zhanrit të reportazhit.

Ai ka sjellë shumë raportime nga terreni: atë që po ndodh në minierat e Bulqizës, të Kukësit e të Martaneshit; atë që po ndodh pyjeve të Ersekës, të Korçës e të Lurës; atë që po ndodh lumenjve e liqeneve apo edhe në detin kufitar me Greqinë; atë që po ndodh në Shkrel, në Lazarat, në Vermosh, në Dangëlli, Labëri, Mamël apo edhe në Çamëri, në Manastir, në Tuz, Tivar, Luginë, Kosovë, pra kudo ku flasin e mbijetojnë të vërteta të ndryshme. Ka risjellë fakte historike, për ngjarje e figura të shquara shqiptare, ku mes të tjerash ka folur hapur për natën e 12 shkurtit të vitit 1905, ku grekët masakruan me sopata patriotin e shquar shqiptar, klerikun Papa Kristo Negovani, së bashku me të vëllanë e tij, Theodhosin.



Kush është Marin Mema? Ai u lind në Tiranë më 22 mars 1981. Pasi i kishte mbushur të 14-at hyn në shkollën e Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi”, në degën Frëngjisht. Në të njëjtën kohë ai bëhet pjesë herë pas here e gazetës më të vjetër të përditshme sportive në vend “Sporti Shqiptar”. Më pas, në vitin 1999 nis studimet universitare në Fakultetin Filologjik, në degën Gazetari. Në vitin 2008-2009 ai ndjek shkollën e studimeve politike të Këshillit të Europës. Pas marrjes së plotë të dijeve, në vitin 2002 e në vazhdim, ai vendos të përqendrohet tërësisht, duke dalur përfundimisht në “tregun mediatik” shqiptar, ku që në krye të herës bëhet pjesë e medias më të madhe në vendin tonë, Top Channel. Në vitin 2009, gazetari hulumtues Marin Mema merr përsipër të realizojë emisionin “Shqipëria Tjetër”. Për llogari të këtij emisioni, ai ka realizuar mbi 240 reportazhe nga zona brenda kufijve zyrtar të Republikës së Shqipërisë, ashtu edhe jashtë saj, duke guxuar shpeshherë të bëj të pamundurën të mundur, sidomos me dokumentarët e realizuar në Greqi, si “Çamëria, përse kanë frikë grekët?”, “Të vërtetat e Negovanit”, “Atje ku greqishtja mund shqipen”, “Të mësosh greqisht në Çamëri”, “Grekët pushtojnë detin”, “Të vërtetat e kufirit detar”, “Vllenjtë, pesudogrekët e fundit në Shqipëri” etj. Pikërisht, mû për këtë ai më 19 gusht 2012 shpallet “person i padëshiruar” nga shteti grek, teksa po shkonte për pushime në Greqi. Sipas burimeve zyrtare nga pala greke, ai është shpallur “person i rrezikshëm për sigurinë kombëtare në Greqi dhe për këtë arsye nuk i lejohet kalimi në territorin grek”. Një vendim i tillë ka ardhur si pasojë e reportazheve të shumta të ciklit “Shqipëria Tjetër”.

Gjithashtu, ai ka realizuar të paktën 50 dokumentarë “Exclusive” dhe “Jashtë Bulevardit”, ndër të cilat “Avokate të Zotit apo të Djallit” që në dhjetor 2005 ka marrë çmimin e parë nga “Qendra Shqiptare për të Drejtat e Njeriut”. Më 23 qershor 2012 merr çmimin AKT, si reporter i vitit. Ndërsa në janarin e 2013-ës ka marrë çmimin si personazhi i vitit në gazetari nga revista “Klan”. Çmime të tjera me simbolika të ndryshme e kanë ndjekur herë pas here gazetarin e shquar Marin Mema.



Për të mësuar rreth shumë çështjeve apo enigmave të tjera, përfitoni nga rasti të lexoni intervistën e marrë nga Redan Bushati me drejtuesin e “Shqipëria Tjetër”, gazetarin e TCH, Marin Mema, i cili ka folur gjerë e gjatë për problemet në Shqipëri, Kosovë, Luginë, por edhe marrëdhëniet shqiptaro-greke.



-Po nisim menjëherë nga temat e “nxehta”. Përse jeni shpallur “non grata” nga shteti grek?

Sigurisht, ky vendim është marrë si pasojë e emisioneve të mia – emisione përmes të cilave jam përpjekur të sjell realitete historike të mbështetura jo mbi abuzime e nacionalizëm të sëmurë, por fakte të pamohueshme të historisë shqiptare. Çamëria, Negovani, Filati, Ballkameni apo çështja e kufirit detar kanë qenë disa nga emisionet e realizuara në “Shqipëria Tjetër”. Mirëpo këto të vërteta nuk pëlqehen as nga shteti e as nga ekstremistët grekë, e për t’i penguar nuk dinë të bëjnë gjë tjetër, veçse të më shpallin “non grata”. Ky është një autogol i rëndë për ta, pasi nëse kanë argumenta kundërshtuese ndaj emisioneve të mia le të vijnë dhe t’i përplasin me mua, pikërisht në një debat historik të faktuar. Kjo do të mjaftonte për të më nxjerr mashtrues, të paaftë dhe për të më shkatërruar karrierën e besueshmërinë. Përderisa nuk vijnë, por marrin masa të tilla ekstreme, do të thotë se s’kanë asgjë. Ata kanë frikë nga e vërteta dhe këtë e treguan me mua.



-Reportazhet tuaja të realizuara në Greqi çfarë përmbajtjet kishin?

Përmbajtje historike apo edhe të situatës aktuale, ku jetojnë shqiptarët. Negovani p.sh. ishte një ndërthurje e së shkuarës me të sotmen, ku të afërmit e tij në këtë fshat në Greqi mohonin se patrioti i madh Papa Kristo ka qenë shqiptar dhe se ata janë pasardhës të një shqiptari. Ndryshe nga nipi i tij këtu në Tiranë, Kiço Negovani, i cili me krenari të rrallë fliste për gjyshin e tij dhe ofertat për t’u bërë grek në shkëmbim të një pensioni.

Në rastin e Çamërisë, emisioni “Shqipëria Tjetër” solli fakte të pamohueshme të masakrës së bërë mbi popullsinë çame, e po ashtu gjurmët që nuk janë shuar ende sot në këto fshatra me padronë të rinj, por me histori tjetër. Shtëpi të gjymtuara, gjysmë të rrënuara që flasin me peshën e tyre. Në Margëlliç edhe një minare e vjetër që s’ka asnjë lidhje me banorët e rinj të fshatit, ku sot janë ngritur disa kisha. Këto janë fakte jo të stisura nga unë, por që mund t’i prekë kushdo.

“Shqipëria Tjetër” ka prekur edhe “blerjen” që i bëhet të rinjve shqiptarë nga fshatrat kufitare për të mësuar në Greqi, e kjo duke dhënë subvencionime jo të vogla, paçka se ky vend vijon të jetë në krizë ekonomike. Po ashtu çështjen e pensioneve, apo shkollave greke dhe mësimet që ato shpërndajnë e kështu me radhë. Këto janë të vërteta jo të ngjizura në tryeza injorantësh ekstremistë si ato të “Agimit të Artë”, por duke u bazuar në fakte, e përsëris fakte të treguara në ditën për diell ballë të gjithëve.



-Pas shpalljes suaj “non grata”, si ju duk reagimi i shtetit shqiptar, shoqërisë civile dhe organizatave të medias?

Gjej rastin për të falenderuar kolegët dhe mediat që më mbështeten, të cilët për hir të së vërtetës nuk ishin pak. Analistë e gazetarë erdhën në krahun tim për të treguar se ky akt i paprecedent ishte skandaloz, i turpshëm, që s’mund t’i përkasë një vendi pjesë e Bashkimit Europian. I përshëndes dhe u jam mirënjohës të gjithëve, pasi të gjithë janë miqtë e shokët e mi dhe hodhën radhë të shumta për këtë rast, tregues të një prapambetje të jashtëzakonshme në nivelin e lirisë së fjalës.



-Keni pasur kërcënime të ardhura nga qarqe të ndryshme ekstremiste greke apo edhe në Shqipëri për shkak të punës suaj?

Në Shqipëri grekët nuk bëjnë kërcënime, por oferta. Oferta që i dinë më së miri ata që i bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë përmes njerëzve të tjerë. Rëndësi ka që këto oferta nuk janë pranuar dhe nuk do të pranohen asnjëherë nga unë, e ky nuk është një pohim i versionit politik shqiptar që diçka thotë sot e diçka tjetër bën nesër. Ndërsa kërcënime për tema të tjera kam pasur, por kjo është normale në një vend ku gjithsecili nga këta bajraktarët e rinj mendon se ka hapësirën e trashëguar për të shkatërruar dhe abuzuar. Por edhe në këtë rast nga unë nuk ka tërheqje e nuk do të ketë assesi.



-Duket se përballë shantazheve e kërcënimeve të ndryshme, Marin Mema nuk di të ndalet. Cili është realisht misioni juaj me “Shqipëria Tjetër”?

Misioni im është të zbuloj të vërtetat, të ringre shpirtin e reagimit, të rizgjoj ata shqiptarë të fjetur që pranojnë realitetin e sotëm të mbrapshtë, i cili na imponohet dita-ditës. Po shkatërrohen pyje, lumenj, ka zona të tëra pa rrugë, pa ujë, pa drita, ka skamje, ka skllavëri, e të gjitha këto po ndodhin në Shqipërinë tonë. Është e nevojshme të gjithë të kuptojnë se ky vend mbart në vetvete të ardhmen e përbashkët, por edhe të shkuarën ku prehen gjyshërit e stërgjyshërit tanë. Shqipëria ka gjithçka për të qenë një parajsë, por natyrisht nëse do të ketë një drejtim të duhur. “Peshku qelbet nga koka”, thotë populli, e kjo është mëse e vërtetë, por ama duhet thënë se e kemi lënë ne të qelbet. Bash për këtë jemi përgjegjës, pasi nuk reagojmë dhe vetëm presim. Pra, na ka rënë ai shpirti i kundërshtimit ndaj padrejtësive dhe po endemi si të humbur përmes shkatërrimit të Shqipërisë. Duhet një shkundje e mirë, në mënyrë që të mos jetë shumë vonë kur ky vend të jetë i shtrydhur e i kthyer në një shkretëtirë të plotë.



-Partia neonaziste greke “Agimi i Artë” ju cilëson publikisht si armik. Cili është mesazhi juaj ndaj krerëve të saj?

S’dua të merrem me karagjozë. Ata janë të paditur, injorantë, një tufë burracakësh që kakarisin lart e poshtë. Vini re! Ata janë kaq qesharakë, mirëpo këtë gjë nuk e kuptojnë. Siç thotë shkrimtari ynë i madh Faik Konica “kur i shoh e dëgjoj më vjen një i papërmbajtur gaz”. I mëshiroj.



-Aludohet që ju po përgatiteni për t’u futur në radhët e politikës. E shikoni të mundshme një gjë të tillë? Nëse po, kur dhe me cilin subjekt politik?

Kurrë mos thuaj kurrë! Sigurisht do të ketë një moment kur do të kaloj nga zbulimi dhe konstatimi i ngjarjeve tek zgjidhja e tyre, të paktën kjo është dëshira ime. Me cilën forcë? Unë në shpirt jam dhe mbetem opozitar. I tillë ju siguroj, – mbajini shënim këto fjalë, – do të mbetem përbrenda kujtdo grupimi ku mund ose s’mund të jem në të ardhmen.



-Reportazhet tuaja mbajnë “erë patriotizmi”, i tillë është Marini edhe në jetën e përditshme?

Kush më njeh e di që unë vendin tim e dua. E dua fort dhe dua ta shoh sa më mirë, pikërisht sa më shpejt në Bashkimin Europian, sepse aty e kanë vendin pellazgët-ilirët-arbërit-shqiptarët.



-Mendoni që qeveritë shqiptare në këto 22 vite demokraci kanë bërë aq sa duhet për mirëqënien e popullit shqiptar?

S’kanë bërë asgjë. Thjesht asgjë, përveçse kanë mbushur kontot e tyre me para të grabitura nga xhepat e shqiptarëve. Kemi 22 vjet që vrapojmë në të njëjtin vend, pa bërë dot asnjë hap përpara. Shek. XXI na gjen me rritje të analfabetizmit, me rritje të papunësisë, me rritje të krimit, me rritje të gjithçkaje që cenon jetesën normale të një populli. Shqiptarët “kacavirren” për të mbijetuar, ndërsa sot sfidoj këdo që më gjen një shtetar pa të paktën pesë llogari bankare. E në krahun tjetër, ka sot shqiptarë që jetojnë me thërrime buke, pikërisht nga ato që lënë pas këta shtetarët tanë të pispillosur me kuletën plot. Ka fëmijë që luajnë ende me baltë, që s’dinë ç’është një kompjuter; që s’kanë asnjë lodër, krejt ndryshe dhe shumë larg luksit të familjeve të elitës politike shqiptare, që u blejnë fëmijëve qysh në moshë të njomë makina e apartamente. Kjo është panorama e Shqipërisë së sotme. Kësisoj si mund të them se këta kanë bërë qoftë edhe diçka të vogël për popullin tim?!



-Korrupsioni është në shifra vërtet shqetësues. Po ashtu krimi i organizuar, varfëria, papunësia etj. Ka një rrugëdalje për Shqipërinë dhe shqiptarët nga kjo mynxyrë?

Shteti ligjor, dora e hekurt ndaj krimit, projektet zhvilluese, hapja e tregjeve, investimet në infrastrukturë, konkurrenca e lirë, meritokracia, verifikimi i pasurisë së politikanëve, gjyqtarëve, prokurorëve e mbështetja pa ngjyra janë vetëm disa nga pikat që po të aplikohen në mënyrën e duhur do të ngrinin themelet e një shteti më të fortë, më të konsoliduar, ku secili të ketë hapësirën e tij. Për të gjitha këto duhet një klasë politike, e cila e do me të vërtetë këtë vend, përndryshe, siç ju thashë edhe më sipër, do të vazhdojmë të vrapojmë në vend. Ka ardhur koha që ky realitet i zymtë të ndryshojë dhe për këtë secili nga ne duhet të bëjë pjesën që i takon.



-Komenti juaj për vendimin e Gjykatës së rrethit Tiranë për tragjedinë e 21 janarit?

U vranë katër qytetarë, katër familjarë, u vranë në mes të ditës në mes të bulevardit të kryeqytetit shqiptar dhe ky është një krim i shëmtuar. Është krim i rëndë, është një krim i tmerrshëm. Pamjet filmike vërtetojnë plotësisht se Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda ishin me duar në xhepa dhe u vranë pa bërë asgjë, shumë metra larg portës hyrëse të kryeministrisë. Si mundet që një krim i tillë të mos ndëshkohet? Si mundet një gjykatë të marrë përsipër katër jetë të shuara? Si mundet? Le të ma thotë dikush! Më ka mjaftuar të shikoj sytë e Ana Veizit dhe aty kam gjetur dhimbjen më të madhe të një jetimeje, e cila kërkon drejtësi për babain e saj. Sinqerisht nuk kam fjalë, sepse ato janë të tepërta. Ajo që ka ndodhur është thjeshtë vula e mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë, që rreket të “krasit” jo drejtësi, por para e pushtet. E sikur të mos mjaftonte vetëm kaq, gjyqtarët që janë të pastër e transparent si ngjyra e “veladonit” me të cilin mbulohen, akuzojnë Shtetet e Bashkuara për cënim të pavarësisë së gjyqësorit. Është qesharake, tejet skandaloze.



-Mazhoranca qeverisëse ia hedh fajin opozitës si penguese e tre ligjeve, të cilat e çojnë Shqipërinë në rrugën e sigurtë drejt BE-së. Mendoni se Shqipëria ka plotësuar të gjitha kërkesat e tjera dhe ka mbetur vetëm miratimi i këtyre ligjeve?

Duke lëvizur çdo javë andej-këtej e duke prekur nga afër këtë realitet të ri, më vjen për të qeshur, teksa grupacionet politike përplasen në mënyrë të shëmtuar, duke i hedhur fajin njëra-tjetrës, e si rrjedhojë duke fshehur dështimet e njëpasnjëshme. E kuptoni se ky shtet çalon në çdo hallkë të funksionimit të tij, e kjo nis që nga Kuvendi i Shqipërisë i kthyer në një arenë dhune dhe gjithfarëlloj fyerjesh?! Pastaj vijon rrugëve, ku shifrat e krimit janë alarmante. Po ashtu shifrat e papunësisë, teksa syri të sheh qindra e mijëra të rinj që vijnë vërdallë, pa më të voglën shpresë, e për të vijuar me korrupsionin mbytës, i cili po gërryen çdo ditë e më tepër themelet e këtij shteti; tek pamundësia e bizneseve për të ngritur kokën nga gjobat dhe tatimet shpeshherë për arsye politike; tek sistemi arsimor i falimentuar, ku universitetet tona i kanë kthyer diplomat në një mall që duhet ta blesh me para nën dorë; tek sistemi i drejtësisë, i cili është i dështuar deri në palcë; tek mosbarazia ndaj ligjit e te gjithçka tjetër që sot shtetarët përpiqen të na e zbukurojnë me lloj-lloj ngjyrash. Këto janë të vërtetat që prekin përditë shqiptarët dhe nuk mund të hidhen poshtë me pallavra boshe.



-Më 12 shkurt 2013 bëhen 108 vjet nga vdekja e atdhetarit të shquar Papa Kristo Negovani. Si u vra? Kush e vrau? Dhe cili ishte reagimi i atëhershëm i Shqipërisë dhe shqiptarëve?

Papa Kristo Negovani u vra se guxoi të predikonte dhe të mësonte fëmijë e të rritur në gjuhën shqipe. Historia na mëson se ky krim u krye me urdhërin e kishës greke, e cila ka vrarë jo pak patriotë, duke filluar që nga Papa Kristo, e vazhduar me Petro Luarasin, At Stath Melanin, Papa Llambro Ballamaçin e shumë të tjerë. Papa Kristo Negovani edhe pse ishte kërcënuar disa herë, vazhdonte të mbante meshën në gjuhën shqipe. Pikërisht kjo nuk i vinte përshtat grekëve, që kishën asokohe e përdornin për të mbytur rilindjen tonë kombëtare. Kështu, Papa Kriston dhe të vëllanë e tij pasi i masakruan me sopata i hodhën gjetkë si rroba të leckosura. Sakaq, reagimi i shqiptarëve erdhi përmes çetës së Çerçiz e Bajo Topullit, ku një vit më pas vranë dhespot Fotin, mitropolitin e Korçës. Sigurisht reagimi vazhdoi edhe përmes patriotëve të tjerë, të cilët ndoqën të njëjtat gjurmë në betejën e shenjtë për ruajtjen e gjuhës shqipe.



-Fqinjët grekë “përkëdhelen” vetëm nga klasa politike shqiptare, pasi populli e di mirëfilli se çka kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë grekët ndër shqiptarë. Ju mendoni se deri diku ajo armiqësi është zbutur, pra po krijohet një klimë miqësore apo jemi ende larg?

Unë jam kundër ekstremistëve. Populli grek është një popull mik, një popull vëlla, që s’ka asnjë lidhje me ekstremistët që i drejtojnë apo që kanë shtrirë rrënjët në Shqipëri. Në fshatrat e Dropullit të dyja palët bashkëjetojnë, pra japin e marrin me njëri-tjetrin, martohen, janë bashkë në gëzime dhe hidhërime, sepse ne nuk kemi urrejtje për ta. Problem mbeten politikanët që i drejtojnë, të cilët përpiqen të ngrejnë situata artificiale përplasjesh mes dy popujve. Ja p.sh. grekomadhi Vangjel Dule i PBDNJ-së thotë se të drejtat e tyre nuk respektohen, por kjo nuk është e vërtetë, madje askush nuk u beson fjalëve të tilla, pasi ata kanë një liri të plotë, shpeshherë më tepër se vetë shqiptarët. Ministri Ksera e renegati Barka takohen lart e poshtë me deputetët e “Agimit të Artë”, ndërsa Vasil Bollano vjell vrer ndaj Shqipërisë e shqiptarëve. Këta janë problemi i vërtetë, që trondisin dhe cënojnë marrëdhëniet shqiptaro-greke bashkë me një tufë ekstremistësh që fshihen matanë, në Greqi. Sigurisht ka edhe ministra të tjerë apo zyrtarë të lartë në Shqipëri, të cilët kanë ndyer duart në interesa me grekët e në këmbim u kanë bërë mjaft favore, duke u dhënë, përpos të tjerave, edhe detin. Kështu, problemi janë këta e jo popujt, pasi popujt nuk kanë asgjë mes tyre. Unë vetë kam miq grekë, madje edhe vetë avokati im që po merret me çështjen e shpalljes ‘Non Grata’ në Greqi është grek – një grek i aftë që kundërshton me forcë këto vendime absurde të shtetit të tij. Është mik i mirë Theodoros dhe unë besoj në aftësinë e tij. Kam ndenjur gjatë me të dhe kemi folur për gjithçka, edhe për problemet mes dy vendeve. Njerëz të tillë të bëjnë të kuptosh sesa vlerë ka miqësia e mirë. Ndaj duhet të ruhemi gjithmonë nga provokatorët, që kërkojnë të ndezin zjarr mes popujve. Unë nuk do ta bëj kurrë, asnjëherë, përkundrazi do të vazhdoj të përbuz ata që e bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo me kuaj troje si pseudopërfaqësuesit e minoritetit grek në Shqipëri. Duhet të ndajmë nga njëri-tjetri mbështetësit e sponsorizuesit e Megalidesë me njerëzit e thjeshtë. Unë kam kaluar shumë mirë në Dropull dhe do të vazhdoj të kaloj mjaft mirë, pavarësisht se dikush nga këta “politikanët” e sponsorizuar nga shteti grek pretendon se atje diçka ndodh.



-Si qëndron e vërteta e paktit detar?

Ai pakt është nul. Kjo është tashmë zyrtare, pavarësisht provokimeve të palës greke. Në krahun tjetër, nëse Gjykata Kushtetuese e ktheu si antikushtetuese këtë marrëveshje, atëherë edhe njerëzit që e përpiluan, që e hartuan dhe nënshkruan atë duhet të vihen përpara drejtësisë për veprimin e tyre antikushtetues. E këtë nuk e them unë, por kushtetuta, ligjet e shtetit. Secili mund t’i konsultojë vetë, ku në të mund të gjejnë edhe dënimet përkatëse që rrezikojnë njerëzit që morën pjesë në atë tradhëti të vërtetë kombëtare, në këtë shitje të turpshme dhe antishqiptare.



-Mesa jeni në dijeni, vazhdon të krijoj Greqia probleme të ndryshme për shqiptarët që jetojnë atje, apo në kufirin mes dy shteteve?

Emigrantët tanë në Greqi vazhdojnë të jetojnë me frikë, ku problemet me dokumentacionin me toponimet janë aksioni më i fundit në dëm të shqiptarëve. E sërish për këtë gjykoj se është faji ynë, pasi kurrë nuk kemi ditur të zbatojmë masa reciprociteti, të kërkojmë të drejta të barabarta, duke nisur nga hapja e shkollave e deri tek të drejtat për t’u përfaqësuar në parlamantin grek në bazë lokale e qëndrore të shqiptarëve, pa përmendur këtu edhe çështjen kryesore, atë çame. Grekët kërkojnë toka imagjinare në Shqipëri, ndërsa ne kurrë nuk themi asgjë zyrtarisht për Çamërinë dhe masakrat e tmerrshme që janë bërë mbi popullsinë çame. Dikush duhet të kujtohet se ata, sikundër ne, ishin njerëz, e jo bagëti. Çamëria është dhe mbetet tokë shqiptare dhe kjo s’ka për të ndryshuar kurrë.



-Politika në Kosovë duket se po gabon aty ku ka gabuar politika shqiptare, duke krijuar një mjedis konfliktual, aspak pozitiv dhe me një mungesë të theksuar të demokracisë. Si e shikoni ju një gjë të tillë?

Sigurisht mjedisi konfliktual nuk është gjë e mirë, pasi nuk prodhon asgjë pozitive, përkundrazi e lë vendin në një grackë që i merr frymën gjithnjë e më tepër. Shpresoj që konfliktualiteti në të ardhmen të sheshohet dhe besoj se kjo do të ndodh nëse vetë shqiptarët atje do të mësojnë të kërkojnë më të mirën për veten dhe familjet e tyre. Të kërkosh një jetë më të mirë nuk është turp, pasi këtë e bëjnë të gjithë shoqëritë më të zhvilluara evropiane. Vetëm ne rrimë e vëzhgojmë, rrimë e shikojmë. Është koha që shqiptarët, pavarësisht se ku ata ndodhen, të kërkojnë të drejtat e tyre të nëpërkëmbura, të drejtën për një qeverisje më të mirë, një qeverisje për ta, pra në shërbim të tyre, të popullit.



-Komenti juaj për ngjarjet e fundit në Luginë të Preshevës dhe a reaguan siç duhet qeveritë shqiptare?

Serbët po bëjnë lëvizjet e fundit të dëshpëruara, duke përplasur kokat pas mureve, me akte të tilla të shëmtuara dhe krejtësisht të papranueshme. Mbetem i mendimit se qeveria shqiptare dhe ajo kosovare duhet të reagonin më fort. Është koha që tekave dhe aksioneve të tilla të serbëve t’u vihet një kufi, e kjo u duhet bërë e ditur qartë edhe ndërkombëtarëve. Ata duhet të ndërhyjnë më fort në zgjidhjen e këtij problemi. Situata në Preshevë dhe në veri të Kosovës është e papranueshme. Nuk përkrahet Presheva vetëm me fjalë. Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës duhet të jenë atje në mënyrë të përhershme për t’i përkrahur, e jo për t’u kujtuar vetëm sa herë ndodhin ngjarje të tilla, pasi Presheva ka nevojë për ne. Presheva është tokë shqiptare, ku jetojnë shqiptarë.



-Jeni pro bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës në një shtet të vetëm?

Sigurisht që po. Jo thjesht me fjalë, por me vepra. E ky nuk duhet quajtur bashkim, por rikthim në historinë që na përket. Është historia e Shqipërisë dhe shqiptarëve.



-Cilat janë elementët thelbësor që vazhdojnë ta pengojnë këtë bashkim, ndonëse populli në masë të gjerë, në Kosovë dhe në Shqipëri, e dëshiron bashkimin shqiptarë-shqiptarë?

Ekspertët ligjorë dhe të së drejtës ndërkombëtare, nga të dyja palët, duhet të ulen për të biseduar formulën më të pranueshme, në mënyrë që fillimisht të vijë butë edhe për ndërkombëtarët. Është e domosdoshme që një gjë e tillë të bëhet jo me forcë, por me zgjuarsi ligjore. Unë mendoj se mundësitë janë, mjaft të gjendet rruga e duhur. Sigurisht një referendum popullor në të dyja anët do të ishte një tjetër hap që do ta ndihmonte këtë kauzë. Shqiptarët kanë të drejtë të jetojnë në tokat e tyre, të jetojnë në Shqipërinë e tyre, e këtë nuk mund dhe nuk duhet ta pengojë askush. Unë jam pro këtij bashkimi, por duhen pyetur edhe politikanët e të dy krahëve sa vërtetë janë pro këtij bashkimi, jo me fjalë, por me vepra. Jam dyshues se disa prej tyre e duan vërtetë këtë.



-Jeni pro krijimit të një lige të përbashkët futbolli Kosovë-Shqipëri?

Sigurisht, por edhe në këtë rast duhet gjetur formula e duhur, pasi ndryshe si “rezultat” mund të kemi ndonjë masë deri përjashtuese nga FIFA. Sipas meje, deklarata e bërë nga kryeministri ishte thjesht një “poç elektoral” dhe “poçat elektoralë” plasin më shpejtë sesa fryhen.



-Situata e shqiptarëve në Maqedoni është tejet e rëndë, në të gjitha drejtimet. Vetëm ata shqiptarë që e kanë shitur gjakun e tyre ilir jetojnë në mirëqënie dhe qetësi të plotë. Pjesa tjetër vuan jo vetëm nga varfëria, por sidomos nga dhuna fizike e verbale, diskriminimi racial etj. Mendoni se ka zgjidhje për shqiptarët në Maqedoni?

Si kudo ku jetojnë shqiptarët, edhe në Maqedoni fajtore është klasa politike shqiptare, e cila mendon vetëm për interesat e saj të ngushta. Nëse këto parti do të bashkoheshin, atëherë pozicioni i shqiptarëve do të ishte shumë herë më i fortë. Vetë maqedonasit do të ishin të ndarë mes dy forcave të tyre të mëdha, ndërsa shqiptarët të bashkuar do të siguronin shumë më shumë. E këto nuk janë fjalë në ajër, por fakte kokëforte numerike. Shqiptarët duhet të mësojnë të bashkohen. Thaçi dhe Ahmeti, si dy liderët kryesorë të shqiptarëve, duhet të shkojnë përtej konflikteve, sepse shqiptarët dhe gjendja e tyre është më e rëndësishme se një përplasje mes forcave politike. Kjo është zgjidhja që do të faktorizonte shqiptarët në mënyrë tërësore, duke u dhënë frymëmarrje dhe mundësi të jashtëzakonshme. Teksa mendoj Ahmetin dhe Thaçin më kujtohet Manastiri, kryeqendra e dikurshme e rilindasve e patriotëve shqiptarë, e sot një qytet ku shqiptarët janë minoritet e ku s’kanë të drejta as në godinën në të cilën mori jetë alfabeti shqip.



-Të rikthehemi sërish në vendin tonë. Mendoni se do të kalojë në parlament “rezoluta çame”?

Shpresoj shumë që deputetët të mos kenë frikë të ngrejnë zërin për padrejtësitë që i janë bërë Shqipërisë. Nuk do të kishte turp më të madh për këtë vend nëse nuk kalon “rezoluta çame” në parlament.



-Kanë bërë aq sa duhet përfaqësuesit e këtij komuniteti në politikë?

Besoj dhe mendoj se mund të kishin bërë më shumë, duke pasur parasysh faktin që janë (PDIU) pjesë e koalicionit qeverisës.



-Besoni se shqiptarët do të përjetojnë një tjetër “epokë” pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013?

Kjo mbetet për t’u parë. Shpresa vdes e fundit. Do të doja thjesht një të ardhme më të mirë për vendin tim. Kjo është dëshira ime, të cilën e uroj me gjithë shpirt. Shpresoj që kjo të ndodh, sepse Shqiperia ka vërtetë nevojë për më shumë: për besim, për mundësi, për më shumë dashuri për këtë vend, në të cilin jetojmë e do të vazhdojmë të jetojmë edhe nesër të gjithë së bashku, blu, të kuq a të verdhë qofshim.



-Një shprehje thotë se “Çdo popull meriton qeverisjen që ka”. Vlen kjo edhe për ne shqiptarët?

Është e vërtetë, sepse ne kemi pranuar çdo gjë që na është imponuar. Pranojmë dhe harrojmë, pranojmë dhe vazhdojmë rrugën, e pranojmë me logjikën e mbrapshtë, e pikërisht kjo në vendin tonë na duket mëse normale. Ja p.sh., këtu më 1 maj festohet çdo vit, ndërsa nëpër botë zhvillohen protesta për papunësinë. Kaq mjafton besoj për të kuptuar se si funksionon realiteti shqiptar.



-Reportazhi i radhës në emisionin “Shqipëria Tjetër”?

Nuk di kurrë të përgjigjem kaq shpejt, sepse destinacionet i vendos gjithmonë në momentin e fundit. Por premtoj gjithnjë surpriza .



-Keni ndërmend të realizoni ndonjë reportazh për tokat shqiptare në Serbi, veçmas për Preshevën, Bujanovcin dhe Medvegjën, apo edhe për ato në Mal të Zi, Maqedoni etj.?

Në Maqedoni kam realizuar dy emisione (në Manastir), por do të kem në fokus edhe zona të tjera, sepse është e vërtetë që duhet t’i jap vëmendje më të madhe kësaj zone. Ashtu si Presheva, Bujanovci dhe Medvegja që “Shqipëria Tjetër” nuk i ka prekur ende dhe për këtë më vjen vërtetë keq. Ndërkaq, shqiptarët e Malit të Zi të bëhen gati të na presin, pasi do të jenë në fokusin tonë së shpejti. Problemi më i madh në zona të tilla është se shpesh, p.sh. në Mal të Zi autoritetet fqinje nuk lejojnë kalimin e kamerave, çka do të thotë se gjithçka duhet kryer në ilegalitet me kamera të vogla ose gjysmë profesionale. Herën e fundit që kam qenë në Mal të Zi, ndihma e vetme na erdhi në Tuz nga një televizion shqiptar, Tv Boin, që na pajisi me një kamera të sajen, se përndryshe nuk do të mund të kishim bërë asgjë. Si përfundim shpresoj shumë që “Shqipëria Tjetër” të jetë mes shqiptarësh kudo që ata ndodhen, sepse jemi të medhenj, jemi vërtetë të medhenj.



-Ka një fund “Shqipëria Tjetër”?

Shpresoj që ta ketë, pasi kjo do të thotë se problemet e shqiptarëve do të marrin fund.



-Pra, do t’i qëndroni besnik këtij emisioni dhe medias aktive në përgjithësi?

Nuk e di ende këtë. Besoj se një ditë do të largohem në përpjekje për të vënë eksperiencën dhe ndershmërinë time në shërbim të qytetarëve.

Nuk ka komente:

Posto një koment