e martë, 4 dhjetor 2012

Athinë, bombë në selinë e Agimit të Artë...

Një bombë artizanale ka shpërthyer rreth orës 04:00 të mëngjesit të së martës në selinë e partisë pro-naziste greke Agimi i Artë, në lagjen Aspropirgos, në veri-lindje të Athinës... Shpërthimi ka shkaktuar dëme të mëdha materiale në apartamentet dhe dyqanet e ndërtesës, por për fat të mirë nuk ka pasur asnjë viktimë dhe asnjë të lënduar.

Atentati kundër Agimit të Artë është verifikuar pak orë pas ftesës që Evangelos Venizelos, lider i PASOK-ut, u bëri partive të tjera demokratike të vendit për të “luftuar penalisht” partinë ekstremiste.

“Ajo është vetëm një organizatë kriminale dhe naziste. PASOK-u nuk mund ta pranojë ekzistencën e fenomeneve si ai i nazizmit. Me gjëra të tilla nuk bëhet shaka”, deklaroi Venizelos.

Agimi i Artë njihet për qëndrimet ekstremiste në Greqi dhe jashtë kufijve të saj, por gëzon një popullaritet të lartë në radhët e popullit helen.

Së fundmi kjo parti politike tentoi të hynte në Shqipëri për të bërë homazhe tek varret e ushtarëve grekë në Kosinë, por marshimi i saj u ndalua nga aktivistët e Aleancës Kuqezi, të cilëve iu bashkua edhe lëvizja Vetëvendosje.

Nuk ka komente:

Posto një koment