e hënë, 3 dhjetor 2012

Shpëtim Gjika falënderon pjesëmarrësit në festimet e 28 Nëntorit, kritika ndaj Berishës

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, ka falënderuar sot të gjithë shqiptarët që morën pjesë në festimet e organizuara në qytetin e Vlorës. Në një deklaratë për mediat, Gjika ka nënvizuar se në 28 Nëntor, Vlora ishte qyteti i të gjithë shqiptarëve...“Në 28 nëntor në Vlorën tonë ishte Kosova, ishte Çamëria, ishte Maqedonia dhe Mali i Zi, ishin të gjithë shqiptarët e Diasporës, askush nuk mbeti pa marrë pjesë në festën e madhe të Kombit tonë. Këtu në Vlorën e Flamurit ishte Peja e Prizreni, Prishtina e Kacaniku, Skëndëraj e Klina, Struga e Tetova, Shkupi e Ohri, Tuzi e Ulqini, Tirana e Shkodra, Durrësi, Skrapari, Tropoja fizikisht 1 milionë shqiptarë por shpirtërisht e me zemër 7 milionë të tjerë”, tha kreu i Bashkisë së Vlorës.

Gjika nuk ka kursyer kritikat ndaj Qeverisë dhe Kryeministrit Sali Berisha për mënyrën se si veproi për ta postuar festën nga Vlora. “Kryeministri Berisha së pari duhet t’i kërkojë falje qytetarëve vlonjatë për mungesën e investimeve, t’i kërkoje falje qytetarëve në lidhje me dëshirën e tij për ta spostuar vëmendjen nga Qyteti i Flamurit, ashtu siç do ta përshëndesja në rast se Kryeministri dhe Qeveria e tij nesër do të deklarojë investime për qytetin e Vlorë”, tha Gjika.

Qeveria pritet që nesër të zhvendoset në Vlorë. Pak ditë më parë, kryeministria njoftoi se mbledhja e radhës së qeverisë, ajo e datës 4 dhjetor, do të zhvillohej në Vlorë, aty ku 100 vjet më parë babai i kombit, Ismail Qemali, mblodhi qeverinë e parë shqiptare.

Nuk ka komente:

Posto një koment