e diel, 14 tetor 2012

Policia zbardh misterin e vrasjes makabre të 18-vjeçares, Aishe Vata në Xhafzotaj të Durrësit...

Policia zbardh misterin e vrasjes makabre të 18-vjeçares, Aishe Vata në Xhafzotaj të Durrësit. Policia e Durrësit në bashkëpunim me policinë e Krimeve të Rënda kanë arrestuar fillimisht të dyshuarin kryesor për vrasjen e 18-vjeçares, i cili pas dëshmisë në polici ka pranuar krimin...
Policia ka gjetur prova të pakontestueshme, të cilat vërtetojnë se autor i krimit është fqinji i familjes Vata, një 80-vjeçar i quajtur Shaban Norja.
Policia sqaron se 80-vjeçari ka pranuar krimin në polici, si dhe ka treguar vendin ku ka fshehur kokën e 18-vjecares.

Me të marrë dëshminë, blutë e Durrësit e kanë gjetur kokën e vajzës të fshehur pak metra larg vendit ku ndodhej trupi i saj. Ata sqarojnë se vajza është qëlluar me armë në kokë, e më pas në mënyrë krejt barbare i është ndarë koka nga trupi me një thikë të mprehtë. Trupi është lënë në vendin e ngjarjes, ndërsa koka është fshehur në arën me misër, pak metra më larg.

Në shtëpinë e të moshuarit, që jetonte vetëm pasi i kishte vdekur bashkëshortja, policia ka ndeshur në prova të pakontestueshme. Është gjetur thika me të cilën ai i ka prerë kokën si dhe njollat e gjakut të vajzës në këmishën, pantallonat dhe rripin e autorit.

Sipas policisë, Aishja është viktimë e abuzimit të 80-vjeçarit që kur ishte 14-vjeç, ndërsa mësohet se ai është edhe i ati i foshnjës që ajo mbante në bark, fryt i këtij abuzimi. Shaban Norja ka qenë i dënuar me 9 vite burg më parë, për një vrasje të mbetur në tentativë, ndërkohë që në banesë mbante armë pa leje.

Ai ka pasur njohje me familjen Vata. Policia sqaron se vite më parë, kur kanë ardhur nga Kukësi, Shabani i’u ka shitur atyre tokën ku kanë ndërtuar shtëpinë. Hetimet për këtë ngjarje që tronditi mbarë opinionin publik, vazhdojnë ende për të zbardhur të tjera detaje.

Muhamet Vata: Vajza më turpëroi, nuk ka më mort në shtëpinë time

Bërja publike e zbulimit të shtatzënisë së 18 -vjeçares ka ngjallur reagimin me habi të familjarëve të saj. Babai i Aishes ka deklaruar se ka mbyllur dyert e mortit në shtëpinë e tij. Që dje, në familjen e Muhamet Vatës nuk ka më mort, ndërkohë që ai e quan histori të mbyllur . “Na çnderoi, na turpëroi familjen, jam shokuar kur e mora vesh. I bija kokës me grushte. Faktin që Aishja ime ishte shtatzënë, e mora vesh pas varrimit. Nuk e dija më parë. E mora vesh nga gazetat. Se po ta dija, nuk do ta kisha varrosur me nderime të mëdha. Por tani e kam mbyllur mortin. Kam anuluar edhe vizitat për “të pestat”. Nuk dua ta diskutoj më këtë çështje”- u shpreh Vata. Sipas tij, askush në familje nuk ka pasur informacion për ndonjë lidhje dashurie të Aishes. Vajza ka qenë aq e mbyllur sa lidhjet intime nuk ia ka besuar as motrave të veta. “Nuk ishte tip i qejfeve ajo. Nuk dilte nga shtëpia. As shoqe nuk ka në fshat. Në shkollë e çoja unë. E nxirrja deri te autobusi i Medresesë dhe e merrja po unë në kthim. Edhe kur i duhej të shkonte për ndonjë punë diku, e kam shoqëruar gjithnjë vetë. Nuk e di se çfarë ndodhi, por ajo ka qenë vajzë e shkëlqyer”-thotë babai i 18-vjeçares. E ndërsa ka varrosur përgjithmonë edhe kujtimin e së bijës, ai shton se ka dyshuar për gjëmën që mund t’i ndodhte në shtëpi. Madje, që kur ka konstatuar se e bija nuk ndodhej aty ka nisur kërkimet me shpresën se së paku do e gjente gjallë. “E parandjeva krimin . Unë kisha disa orë që po e kërkoja dhe kur shkova afër shinave të trenit, më thotë njëra aty që: E more vesh? Kanë gjetur një grua të vrarë te ara e filanit. Direkt më shkoi mendja te Aishja. Pashë disa makina policie që po vinin në atë moment dhe ndoqa drejtimin e tyre. Vrapova me sa fuqi kisha dhe arrita gati njëkohësisht me ata. Policët nuk më linin që të afrohesha, por unë u turra para dhe shpërtheva në lot. E njoha që ishte vajza ime”, thotë Muhameti. E ndërsa tregon momentet e tmerrshme se si ka gjetur trupin e Aishes, ai flet edhe për dyshimet mbi kohën kur dyshohet se vajza e tij ka mbetur shtatzënë. “Më duket krejt e pabesueshme. Gjatë gushtit Aishja ka agjëruar, falej vazhdimisht 5 herë në ditë. Nuk ka shkuar në plazh, ndërsa ka qenë pushim me shkollën. Nuk mbaj mend të ketë shkuar për vizitë ndokund. Nuk e di, nuk e di, jam i shokuar”- të thotë Muhamet Vata. E ndërsa dëshmia e tij ngre më shumë dyshime mbi krimin e ndodhur, prokuroria e Durrësit ka regjistruar ngjarjen duke nisur hetimet për akuzën e “vrasjes në rrethana cilësuese” dhe “dhunimit të kufomës”.

Nuk ka komente:

Posto një koment