e premte, 12 tetor 2012

Truproja i Messit: Kam grabitur 500 banka ...!!!

Barcelonë, viti 1989. Ditën e hënë, dyert e burgut “La Modelo” hapen për të burgosurin e vetëm që kishte vendosur të merrte ditën e parë të javës si liri me kusht, ndryshe nga të tjerët, që kishin zgjedhur të shtunën e të dielën. I burgosuri, 1 metër e 95 centimetra i gjatë, 120 kilogram,... quhet Daniel Roho dhe dy orë më pas shkon përpara një banke duke pirë duhan. Kur mbërrin drejtori i filialit, Dani hidhet në sulm, i afrohet ekzaktësisht në momentin që drejtori po hapte derën dhe duke i treguar pistoletën, i thotë me zë të ulët: “Kjo është një grabitje. Hap kasafortën dhe shko ulu i qetë.” Tetë minuta më vonë, Roho zhduket me një thes të mbushur me parà. Bie telefoni i zyrës kundra-vjedhjeve në komisariatin e policisë. Komisari që merr përshkrimin e hajdutit vendos të heq dorë nga ndjekja: “Eshtë milioneri!”. Milioneri është pseudonimi i përdorur për Dani Rohon, që krahas vjedhjeve të bankave ka virusin AIDS dhe i mbetet shumë pak kohë për të jetuar. Nuk ia vlen të rrezikosh për një tip të tillë!

“Jeta e çmendur”

Kanë kaluar 23 vjet dhe Roho jeton në apartamentit të tij në rrugën Saragoza, në veri-perëndim të Barcelonës, një lagje jo shumë e njohur, po ku njerëzit të thonë mirëmëngjesi në rrugë. Daniel ecën në rrugë i veshur me tuta dhe me një bidon ujë në dorë, sepse ai nuk pi gjë tjetër që kur ka hequr dorë nga “jeta e çmendur”, nga armët, grabitjet, droga, alkooli. Ish-“milioneri” po bën një jetë të rregullt dhe familjare. Gjatë jetës së ndershme, në fillim ishte shitës pishinash portative, pastaj u bë truprojë, duke u futur në këtë mënyrë në botën e futbollit. “Te Barcelona, – kujton Roho, – kam filluar punë në vitin 2006, kur trajner ishte Frenk Rajkard. Klubi më punësoi për të marrë në mbrëmje futbollistët që kishin pirë shumë alkool dhe nuk ishte në gjendje të ngisnin makinën. Dikur shkova të merrja dikë që po bënte seks me dy motra në një zonë VIP të një diskoje. Më tha që e kishin fotografuar, kështu që mu desh të gjeja telefonin me foto dhe t’i fshija ato. Në fund të fundit, çfarë mund t’i thoshte trajneri Rajkardi që nuk ishte shembulli më i mirë i sjelljes?”

“Tip i thjeshtë”…

Një ditë, Danit iu besua detyra të mbronte Lionel Mesin: “Më thanë që ta merrja në fund të stërvitjes. S’mund ta besoja në fillim.” Ky duhet të ketë qenë maksimumi për një tifoz të Barcelonës, nostalgjik për Krujfin dhe Neskensin. “Eshtë shumë më e lehtë të merresh me një futbollist, sesa të vjedhësh një bankë.” Në fakt, për Mesin, Roho nuk ka shumë për të treguar: “Ishte një tip i thjeshtë, gjithmonë me këmbë në tokë. Kur hante ulej në krahun tim dhe i tregoja ndonjë aventurë nga jeta ime. Në të vërtetë, Mesi nuk kishte shumë për të thënë, sepse jeta e tij deri në atë moment kishte qenë vetëm stërvitje dhe ndeshje, vetëm futboll. Kur e lanë nën kujdesin tim më urdhëruan ta mbaja larg femrave. Jetën e vërtetë, Leo ka nisur ta zbuloj vetëm tani.”

Leksioni nga muzika

Daniel Roho ka jetuar gjithmonë në limite, që kur ishte fëmijë. Vdekja e gjeneralit Franko, në vitin 1975, nuk shënoi vetëm fundin e një epoke, por edhe fillimin e një bote të re me “rock’n′roll”, drogë dhe alkool. Një hedhje drejt lirisë, por një hedhje e rrezikshme nga kati i dhjetë! Dani ishte pjesë e rrymës: dëgjonte natë e ditë Lu Rid, Pati Smith, Uilliam Burrogs, Çarls Bukovskin, dhe pavarësisht se ishte vetëm 13-vjeç kishte nisur duhanin dhe përdorte drogë. “Në vitin 1979, Ian Duri këndonte “seks&drogë&rock’n′roll”. Kështu ishte jeta ime”. Në moshën 15-vjeçare, Dani përdorte rregullisht heroinë dhe i vidhte parà babait të tij, një biznesmen katalanas, për t’u veshur si mafioz, për të dalë me vajzat më të bukura, përpara se të përfundonte në rrugë i kërcënuar me një pistoletë në kokë, që të mos kthehej më në shtëpi. Fillon kështu një jetë me peripeci që tregohet edhe nga dy zarat tatuazh në krahun e majtë, simboli i filozofisë së tij: “Jeta është një lojë, me të cilën gjithmonë më ka pëlqyer të luaj.” Ai e ka vënë jetën e tij në lojë me qindra herë, duke vjedhur farmaci, dyqane, apartamente dhe mbi të gjitha banka, specialiteti i tij. “Plaçiktjet” e Rohos nuk ishin të dhunshme. Zakonisht godiste në mëngjes pasi ishte bombarduar me drogë. Në vitin 1986, në qelitë e burgut zbulon se ka hepatit dhe AIDS, thuajse si të gjitha të burgosurit e asaj kohe. Por nis të kurohet menjëherë dhe mbijeton, duke vazhduar të bëj grabitje, sepse në fund të fundit nuk kishte asgjë për të humbur. “Vidhja deri në pesë banka në javë, kam shkuar deri në 500 gjatë karrierën time. Ishte kthyer në art për mua, nuk më interesonin vetëm paràtë. Eshtë si në futboll: përmirësohesh duke u ushtruar, derisa bëhesh profesionist.” Në këtë mënyrë, Roho merr pseudonimi “Milonario” nga policia.

Me bindje djathtas…

Ky pseudonim vjen edhe nga fakti që ishte i vetmi në Spanjë që realizoi një vjedhje pasi gërmoi për tri muaj në hapjen e një tuneli. “Isha me një bandë italo-argjentinase. Morëm 8 milionë euro brenda natës.” Roho nuk harron kurrë grabitjen spektakolare të një furgoni, që transportonte sende me vlerë. Një grabitje e studiuar deri në detajet më të vogla. U përdorën: një kampion, 3 vetura, 10 pistoleta, 5 automatikë, 2 kg me tritol, radio policie dhe lotsjellës. Përfitimi: 3 milionë euro, për katër minuta aksion. Parà të fituara lehtë dhe të shpenzuara me shpejtësi marramendëse. “Gjatë një jave unë pija 1 milionë pesetas kokainë dhe 1 milionë pesetas heroinë.” Paràtë me bollëk e shtynë drejt ambienteve të panjohura prej tij. “Pas Frankos, të gjithë u bënë komunistë dhe katalanas, por unë gjithmonë kam qenë i djathtë. Për mua ka rëndësi vetëm flamuri spanjoll,” – thotë Dani duke rrahur gjoksin, anëtar i ekstremit të djathtë spanjoll.

Muzika dhe futbolli

Në vitin 1997 vjen kthesa e madhe dhe Roho vendos të heq dorë nga droga dhe jeta prej krimineli. “Isha bërë vartës i asaj jete me luks të shfrenuar, me veshje të shtrenjta, me makina luksoze. Një jetë që vetëm aktorët, këngëtarët apo futbollistët mund t’ia lejojnë vetes.” Roho e kurorëzoi pasionin e tij për muzikën duke punuar si truprojë e grupit “Rolling Stones”, gjatë turneut të tyre në Spanjë. “Dakord, ata janë në gjendje të mbushin plot një stadium, por vetëm një ose dy herë. Në Spanjë, në Argjentinë apo në Angli stadiumet mbushen plot çdo javë, sa herë ka një ndeshje futbolli.” Kjo ishte arsyeja përse Dani zgjodhi të bënte truprojën e futbollistëve si Mesin, me të cilin nuk punon më prej vitesh. “Ndonjëherë takohemi. Vitin e kaluar shkova të shihja një ndeshje me një mikun tim dhe e pritëm në parking. Leo del gjithmonë i fundit nga dhomat e zhveshjes, por përpara tij erdhën dy bukuroshe. Më vonë e mësova se ishte e fejuara e Mesit dhe bashkëshortja e Maskeranos. Darkuam të gjithë së bashku. Më pas Leo më shoqëroi në shtëpi me makinë. Ishte hera e parë që ai ngiste makinën dhe unë isha pasagjer.”

Nuk ka komente:

Posto një koment