e enjte, 8 nëntor 2012

Raporti i minoriteteve: Shqiptarët etnikë të papunë “të tradhëtuar nga shteti”

Frustrimi i bashkon pjestarët e minoriteteve anembanë rajonit, por shpresat për futjen në BE mund t'i kenë zbutë tensionet në Mal të Zi...Tuzi duket si një periferi pa qytet të vetin. Vetëm paksa në veri të kufirit me Shqipërinë, ky qytet i vogël po lufton t’i ikë hijes që i rri mbi krye të kryeqytetit malazez që është veç dhjetë minuta me makinë drejt veriut.

3.000 banorët e Tuzit duan t’i drejtojnë vetë punët e veta. Porse, qyteti administrohet si një lagje e jashtme e kryeqytetit, Podgoricës. Ata flasin gjuhën shqipe, por duhet të ndjekin ligjet e Malit të Zi.

“Askush s’kujdeset për neve”, thotë Agron Dushaj, njëzetvjeçar i papunë. Variacione të ankesave të tij përsëriten nëpër kafene të shumta anembanë qytetit, ku të papunët shkëmbejnë rrëfime për fatin e keq dhe harxhojnë kohë pa fund me kafenë para.

Autonomia më e madhe për Tuzin ishte nënkuptuar si zgjidhja për shumë të këqijat e tij – sigurimi i punësimit për të rinjtë dhe investime në infrastrukturën e rrënuar. Por në të kundërt, mohimi i statusit të bashkisë i është shtuar listës së problemeve të tij.

Shqiptarët etnikë përbëjnë shumicën në Tuz dhe në shumicën e jugperëndimit të Malit të Zi. Prapëseprapë, ata janë pakicë në vend, ashtu si edhe në dy republika ish-jugosllave, Maqedoni dhe Serbi.

Madhësia relative e këtyre pakicave ndryshon. Ata përbëjnë çerekun e popullsisë së përgjithshme të Maqedonisë dhe një përqindje shumë më të vogël të asaj të Serbisë, të përqendruar kryesisht në jug. Ata kanë të përbashkët marrëdhënien e tendosur me shtetet që tradicionalisht janë dominuar nga grupet etnike shumicë.

Ajo marrëdhënie mund të ndikojë mbi të ardhmen e secilit qytetar të Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Të tre vendet kanë aplikuar për t’iu bashkuar BE-së. Përparimi i kërkesave të tyre do të varet së tepërmi nga trajtimi i pakicave nga ana e tyre, përfshirë trajtimin e shqiptarëve etnikë.

ZGJEDHJET E TETORIT 2012 TË MALIT TË ZI


Aleanca europiane e Malit të Zi që përfshin Partinë Demokratike të Socialistëve dhe Partinë Social-Demokrate, fitoi 39 nga 81 vendet e parlamentit.

Koalicioni opozitar, Fronti Demokratik, fitoi 20 vende, ndërsa Partia Socialiste Popullore dhe Mali i Zi Pozitiv fituan përkatësisht 9 dhe 7 vende.

Për të qëndruar në pushtet, aleancës së Malit të Zi Europian i është dashur të formojë koalicione me partitë e pakicave që kanë 6 vende në Kuvend. Nga këto, dy vende i përkasin dy koalicioneve kryesore shqiptare.

Megjithëse politikanët shqiptarë janë përfshirë në qeverinë e mëparshme, ata nuk ishin zgjedhur deputetë. Aleanca e re i jep atyre më shumë fuqi. Ata kanë paraqitur një listë kërkesash, përshi më shumë investime në zonat e tyre dhe më shumë vende pune shtetërore për bashkësinë e tyre.
Nga të tre vendet, Mali i Zi gjykohet si kandidati më i fortë. Ai mund të pranohet në bllok brenda pak viteve të ardhshme. Ndërkohë që Serbia dhe Maqedonia kanë aplikuar të hyjnë, hyrja e tyre as është e pritshme tani shpejt dhe as është e sigurt.

Ky artikull krahason pakënaqësinë mes shqiptarëve etnikë në Mal të Zi me qëndrimin e pjesëtarëve të pakicës në Maqedoni dhe Serbi.

Artikull tregon që përjashtimi nga tregu i punës i sektorit publik është ankesë e përbashkët anembanë rajonit. Por gjasat që pakënaqësia të kalojë në trazira civile duket më e ulët në Mal të Zi, vendi që është më afër hyrjes në BE.

Sipas Genci Nimanbegut, politikan shqiptar, kriteret e ashpra për hyrjen në bllok po e shtyjnë Malin e Zi të përmirësojë mënyrën se si trajtohen pakicat. Partia Forca e Nimanbegut ka vendosur t’i bashkohet koalicionit qeverisës të vendit pas zgjedhjeve të tetorit.

“Përvoja jonë tregon se të gjitha gjërat e mira që i kanë ndodhur shqiptarëve kanë ardhur nga ndikimet e jashtme”, i tha ai Rrjetit të Raportimit Investigativ Ballkanik (BIRN). “Kjo ka gjasa të vazhdojë edhe gjatë negociatave me Brukselin”.

Pakicat malazeze në punët e sektorit publik

Malazezët përbëjnë 45 për qind të qytetarëve të vendit dhe kanë 79 për qind të punëve në administratë, sipas një studimi qeveritar të vitit 2011.

Pakica serbe përbën 28 për qind të popullsisë dhe ka 8.6 për qind të punëve shtetërore.

Shqiptarët etnikë janë 5 për qind të popullsisë dhe mbajnë 2.8 për qind të punëve në sektorin publik.

Boshnjakët, romët, kroatët dhe myslimanët përbëjnë pakica më të vogla dhe kanë përqindje më të vogla në administratë.

(Burimi: Raporti i vitit 2011 për qeverinë e Malit të Zi)

“Punësim për të vetët”

Një kryengritje etnike shqiptare e çoi Maqedoninë në zgrip të luftës civile më 2001-shin. Qetësia u rivendos pas një marrëveshjeje paqeje të bërë nga ndërkombëtarët. Dhuna e kohëve të fundit, shoqëruar nga retorika nacionaliste nga të dyja kampet, e ka bërë atë paqe të duket gjithnjë e më e brishtë.

Edhe popullsia e vogël shqiptare etnike e Serbisë u ngrit shkurtimisht kundër shtetit më 2000, por mandej një marrëveshje i përfshiu luftëtarët në qeverinë lokale. Konflikti në Preshevë ishte i ndërthurur me atë në Kosovën fqinje, ku një rebelim i shqiptarëve etnikë, mbështetur nga goditjet ajrore të NATO-s, kishte kulmuar me shpalljen e pavarësisë së Prishtinës nga Serbia.

Mali i Zi gjithmonë ka qenë më ndryshe. Shqiptarët e tij etnikë kurrë nuk kanë luftuar kundër shtetit. Në fakt, është krejt e kundërta, pakicës i atribuohet krijimi i republikës së pavarur. Më 2006, votat e tyre ndihmuan në arritjen e një fitoreje të ngushtë në referendumin që e nxori Malin e Zi nga unioni me Serbinë.

Shqiptarët etnikë besojnë se pavarësia duhej t’u kishte dhënë aksione më të mëdha në një shtet më të vogël. Por gjashtë vjet më vonë, shumica prej tyre ende ankohen se janë të kufizuar në margjinat e jetës politike dhe ekonomike. Ata akuzojnë qeverinë, në pushtet prej më se një dekade dhe që sapo është rikonfirmuar në zgjedhje, për shkeljen e premtimeve.

“Kur vareshin nga votat shqiptare, ata na ofruan gjithçka”, thotë Linda Dushaj, një vajzë e re nga Tuzi, e diplomuar në politikë por që ka gjetur punë vetëm si instruktore fitnesi. “Në fund, s’morëm kurrgjë”.

Ndërkohë që papunësia e përgjithshme në Mal të Zi është rreth 13 për qind, shifra është afro 20 për qind në zonat si Tuzi dhe Ulqini, ku banojnë shumica e shqiptarëve etnikë të vendit.

Pakica është rreth 5 për qind e popullsisë së përgjithshme të Malit të Zi. Megjithatë, ajo ka vetëm rreth 2.8 për qind të punëve në shtet, sipas një raporti qeveritar mbi punësimin e pakicave, botuar në qershor 2011.

Si në shumicën e vendeve ish-jugosllave, edhe në Mal të Zi sektori publik është i fryrë dhe inefikas. Prapëseprapë, joshja e tij për një rrogë të qëndrueshme dhe përfitime është e fortë për të rinjtë e arsimuar, veçanërisht në mungesë të një sektori të fortë privat. Konkurrenca është e fortë për punë në shumë ministritë dhe dikasteret e administratës.

Por si edhe tjetërkund në rajon, ka një besim të përhapur në Mal të Zi se rastet më të mira shkojnë tek ata me lidhjet më të forta. Punësimi në sektorin publik shihet si mjet me anë të të cilit politikanët shpërblejnë, ose sigurojnë, besnikërinë.

Drejtuesit shqiptarë që janë të afërt me qeverinë malazeze janë akuzuar gjithashtu për favorizim të mbështetësve të tyre në lidhje me punësimin. Shumë pjesëtarë të bashkësisë së tyre e pranojnë se kjo formë korrupsioni i përfshin të gjithë, jo thjesht pakicat. Megjithatë, ata besojnë se diskriminimi i ka bërë gjërat më keq për ta.

Dijana Ivanaj, një 26-vjeçare e papunë në kryeqytetin Podgoricë, thotë se është “krejt e natyrshme që zyrtarët e shtetit duan t’i ruajnë punët për të vetët”.

“Por nëse më japin një pasaportë, më konsiderojnë qytetare malazeze dhe pretendojnë se kam të drejta të barabarta, atëherë duhet të më jepet puna për të cilën jam shkolluar”.

Pasi ka kaluar dy vjet duke kërkuar punë, Ivanaj thotë se nuk i mban më mend refuzimet. Ajo madje s’ka mundur të punojë si sekretare, gjë për të cilën do të kishte qenë më se e kualifikuar. Si e diplomuar në shkencat forensike, ajo në fillim kishte shpresuar të punonte në polici.

Gjithsesi, shërbimi policor ka një prej niveleve më të ulëta të punësimit të shqiptarëve etnikë, edhe pse është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në administratë, me më se 4.000 punonjës. Shqiptarët etnikë përbëjnë vetëm 1.21 për qind të tyre. Dhe ata kanë vetëm 0.72 për qind të stafit në shërbimin e doganave, një punëdhënës tjetër i madh.

Raporti i vitit 2011 që i jep këto shifra përfundonte duke thënë se pakicat në përgjithësi ishin të përfaqësuara në mënyrë të papërshtatshme në sektorin publik malazez.

Sabahudin Deliqi, këshilltar në Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, e pranoi se shifrat tregonin një problem, por këmbënguli se mangësia nuk ishte si pasojë e diskriminimit.

“Kjo nuk është ngaqë ndokush refuzon të punësojë anëtarë të pakicave”, tha ai. “E thënë thjesht, në disa fusha nuk mund të gjejmë kandidatë me cilësinë e duhur”.

Vendi i punës i Deliqit duket se është një nga përjashtimet a pakta të rregullit. Shqiptarët etnikë përbëjnë 43 për qind të stafit të Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave.

Tensione në ngritje




Shqiptarët etnikë në Serbinë jugore thonë se rajonit i mungojnë investimet.


Papunësia është edhe në majë të listës së ankesave në Preshevë e Bujanovc, një rajon i varfër i jugut të Serbisë ku banojnë afro 70.000 shqiptarë etnikë.

Më se një dekadë më parë, një forcë lokale guerilase u përpoq të shkëputej nga Serbia dhe ta bashkonte territorin me Kosovën fqinje. Rebelimi i shkurtër u ndërpre nga një marrëveshje paqeje që i garantonte pakicës më shumë forcë në politikat vendore.

Por pasja e më shumë drejtuesve në pozita pushteti nuk e ka ndihmuar bashkësinë ekonomikisht. Trashëgimia e konfliktit të mëparshëm dhe frika për trazira të mëtejshme – e kanë penguar rritjen e sektorit privat.

“Investitorët nuk vijnë, sepse paraja frikësohet lehtë”, thotë Nexhat Behluli, ish-guerilas që tashti ka disa biznese në zonë. “Nuk ka siguri. Gjendja mund të përkeqësohet në çdo moment”.

Edhe sektori publik ofron pak shpresë për të diplomuarit shqiptarë. Shumica e tyre kanë zgjedhur ta përfundojnë arsimimin në Kosovë, Maqedoni ose Shqipëri, ku ligjëratat mbahen në shqip. Gjithsesi, Serbia s’ka pranuar t’ua njohë kualifikimet, të paktën deri në verën e kaluar. Të kthyer në shtëpi te një ekonomi e dobët, diplomantët janë të përjashtuar nga burimi i vetëm i mundshëm i punësimit.

“Jemi krejtësisht të veçuar. Ndihet sikur jemi qytetarë të dorës së dytë”, thotë Valon Arifi, i cili kohët e fundit mori diplomën për dizajn në Kosovë dhe po përpiqet të gjejë një punë ku paguhet mirë.




Grafite në Preshevë që kërkojnë njohjen e diplomave të institucioneve shqiptare.


Me gjithë zhgënjimin, nuk ka shumë oreks për një konflikt tjetër. Të rinjtë e papunë të Preshevës thonë se më fort do të emigronin në ndonjë vend tjetër sesa të merrnin armët kundër shtetit. Me mijëra e kanë bërë këtë, remitancat nga jashtë mbajnë shumicën e ekonomive familjare në rajon.

Një kryengritje e armatosur në Maqedoni, në jug të Serbisë, u ndal gjithashtu nga një marrëveshje mbi dhjetë vjet më parë. Marrëveshja e Ohrit, u quajt kështu sipas liqenit ku u takuan liderët rivalë, u quajt në atë kohë si modeli i një shoqërie më të barabartë.

Megjithatë, përgjatë viteve të fundit, shqiptarët etnikë janë ankuar se reformat po ndryshohen. Tensionet mbesin të larta dhe banda të rinjsh nga të dyja bashkësitë herë pas here ndeshen me njëra-tjetrën në kryeqytet, Shkup.

Vendi është efektivisht i ndarë mes shqiptarëve etnikë dhe shumicës maqedonase. Përllogaritjet sugjerojnë se afërsisht një e treta e të rinjve janë pa punë, një nga shifrat më të larta në Ballkan.

Dhe ndërkohë që partitë etnike shqiptare janë pjesë e koalicionit qeverisës, pjesëtarët e pakicës mbajnë vetëm 17 për qind të punëve në sektorin shtetëror. Marrëveshja e Ohrit u kishte premtuar atyre një të katërtën e të gjitha posteve në sektorin publik, proporcionale me përqindjen e tyre të popullsisë.

Xhabir Deralla, analist politik, thotë se radikalët në të dyja anët po luajnë me mundësinë e dhunës.

“Konflikti i vitit 2001 shihet si një ndeshje e cila u ndërpre nga bashkësia ndërkombëtare”, thotë ai. “Në faqet e rrjeteve sociale, njerëzit po thonë se ka ardhur koha për pjesën e dytë”.




Xhabir Deralla thotë se është i shqetësuar për ngritjen e tensioneve etnike.


Gjithsesi, një zyrtar nga partia VMRO-DPMNE në pushtet, Vlatko Gjorçev, këmbëngul se tensionet janë ekzagjeruar.

“Nganjëherë media e paraqet situatën si më dramatike nga ç’është në të vërtetë”, tha ai. “Maqedonia nuk është Skandinavi, por edhe Skandinavia ka probleme”.

“S’ka shkop magjik”

Mali i Zi nuk ka në historinë e fundit gjakderdhje që përfshijnë shqiptarët etnikë. Qeveria e vendit madje u përgëzua nga kjo pakicë gjatë fundit të viteve 1990 kur i dha strehim refugjatëve që largoheshin nga Kosova fqinje.

Sot, perspektiva e futjes në BE mund të jetë duke e përmbajtur zemërimin e shqiptarëve etnikë. Mitja Drobniq, kreu i delegacionit të Komisionit Europian në Podgoricë, tha se trajtimi i pakicës nga qeveria malazeze po monitorohej nga afër.

“Asnjë vend s’mund t’i bashkohet BE-së para se të plotësojë të gjithë standardet europiane”, i tha ai BIRN-it.

Gjithsesi, precedentët brenda BE-së sugjerojnë se pak pakica janë krejtësisht të kënaqura.

Popullsia kroate e Austrisë gëzon status tejet më të mirë sesa shumë pakica shqiptare në Ballkan. Si qytetarë të një shteti anëtar të BE-së që është zotuar të mbrojë të drejtat e tyre, ata rrallë ankohen për diskriminim dhe nuk përballen me pengesa në punësim.

Përndryshe, aktivistët e të drejtave kroatë flasin për rreziqet e asimilimit. Ata thonë se gjuha e tyre, ndoshta relikja e fundit e kulturës së tyre, po vdes në mënyrë të qetë.

Kroatët janë pakicë e vogël, e përqendruar në provincën Burgenland të Austrisë. Trashëgimtarë të refugjatëve nga pushtimet otomane, ata kanë qenë në rajon për më se 500 vjet. Në të kaluarën, ata janë përballur me presionin për t’iu përshtatur kulturës dhe zakoneve të popullit që i rrethonte.

Ndërkohë, sot, shoqatat e tyre vendore marrin financim nga shteti. Prej vitit 1955, kroatët e Burgenlandit kanë edhe të drejtën të mësojnë gjuhën e vet në shkolla, dhe të mbajnë shenja rrugore në dy gjuhë.

Por interesi në atë gjuhë po zbehet në mesin e të rinjve. Ata thjesht mendojnë se s’kanë ç’të fitojnë nga mësimi i saj.

“Njerëzit duan të përzihen me shumicën sepse mendojnë se do të jenë më mirë nëse flasin vetëm gjermanisht”, thotë Gabriela Novak Karall nga Qendra Kroate në Vjenë.

“Ata të gjithë deklarohen si austriakë. Shumica e tyre nuk flasin më kroatisht, as në shtëpi bile”.

Për t’u kthyer në Mal të Zi, politikani shqiptar Nimanbegu thotë se bashkësia e tij është realiste lidhur me BE-në. “Europa nuk ka shkop magjik”, thotë ai. “Shumica e gjërave do të varen nga ne”.

Ivanaj, diplomantja e shkencës forensike e papunë, thotë se po i humb durimi. Nëse fati nuk i përmirësohet, ajo planifikon t’i bashkohet asaj pjese të bashkësisë së saj që kanë kërkuar punësim jashtë.

“Kam një jetë dhe s’mund ta kaloj atë duke pritur që diçka të ndodhë”, shprehet ajo.



Ky artikull u prodhua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Cilësore, nisëm e Robert Bosch Stiftung dhe ERSTE Foundation, në bashkëpunim me Rrjetin e Raportimit Investigativ Ballkanik. Redaktor ishte Neil Arun.

Nuk ka komente:

Posto një koment