e enjte, 11 tetor 2012

S&P zhvlerëson Spanjën në 3B minus...!!!

Agjencia e Vlerësimit të Kreditit Standard & Poor's zhvlerësoi me 2 nyje në 3B minus borxhin afatgjatë të Spanjës, duke cituar thellimin e recesionit në ekonomi dhe mundësitë e kufizuara të qeverisë për të ndalur rënien. Tani bonot e Spanjës gjenden vetëm një nyje përmbi zonën spekulative dhe në treg vendimi pritet të shoqërohet nga rritja e kostos së borxhit për ekonominë e katërt të eurozonës. Megjithatë në treg ka shumë analistë që thonë se ky zhvlerësim do të detyrojë Madridin të kryejë veprimin e shumëpritur të tregjeve, atë të aplikimit për ndihmë sovrane.

Zhvlerësimi nga S&P shoqërohet me një këndvështrim negativ që nënkupton ulje të mëtejshme të notës vlerësuese për këto bono. Nota negative sipas agjencisë lidhet me shtimin e riqeve për rritjen e ekonomisë dhe për performancën e buxhetit. Këtyre dy elementëve u shtohet dhe mungesa e një drejtimi të qartë të politikave në rang pan europian. "Në këndvështrimin tonë kapaciteti i institucioneve politike te Spanjës, si ato të brendshme dhe ato multilaterale, që merren me sfidat e rënda që paraqesin kushtet aktuale të ekonomisë dhe të financave, është në rënie”, tha Standard&Poor’s në raportin që shoqëroi vendimin.

Tashmë vlerësimi i kësaj agjencie është në të njëjtin notë që vendos edhe Moody's. Fitch vlerëson Spanjën me 3B, dmth një nyje më sipër por edhe kjo agjenci ka shumë gjasa të zhvlerësojë këto bono. Pas vendimit një zëdhënës në ministrinë spanjolle të ekonomisë tha për Reuters se qeveria nuk ka asnjë koment për të bërë. Agjencia në raport thotë se rritja e pakënaqësisë së qytetarëve e shprehur në protesta është një motiv që preson bonot. Ndërsa në treg vendimi u shoqërua me rritje të vlerës së dollarit dhe zhvlerësim të monedhës së përbashkët europiane.

Nuk ka komente:

Posto një koment