e mërkurë, 10 tetor 2012

Prezantohet plani urbanistik i Tiranës në njësinë nr.1

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha prezantoi planin urbanistik të kryeqytetit për banorët e njësisë bashkiake numër 1. Gjatë takimit, kryebashkiaku garantoi se çdo banori të kësaj zone... do t’i jepen mundësi të barabarta të zhvillimit të pronës. Basha evidentoi faktin se plani urbanistik që prek këtë njësi bashkiake parashikon industrializimin e zonës së ish uzinës së autotraktorëve, duke synuar rritjen e ndjeshme të punësimit.

Dy ekspertët e ekipit hartues të planit rregullues Agron Lufi dhe Ida Hasa thanë se plani parashikon zhvillimin e zonës duke pasur si qendër uzinën e autotraktorëve. Projekti për këtë zonë parashikon ndërtimin e godinave të larta dhe të banesave sociale. Po ashtu, zona e uzinës së autotraktorëve, është parashikuar të shërbejë edhe si qendër ku do të zhvendoset lojërat e fatit.

Ndërsa Nereda Hoxha, drejtore e Transportit në Bashki, tha se në këtë plan urbanistik është projektuar ndërtimi i tramvajit dhe i 11 parkingjeve nëntokësore, që pritet të ndikojnë ndjeshëm në zbutjen e trafikut në kryeqytet. Në takim morën pjesë qytetarë të kësaj njësie, të cilët paraqitën propozimet e tyre në planin urbanistik. Konsultimet për planin rregullues të Tiranës do të vazhdojnë gjatë gjithë muajit, në të gjithë njësitë e tjera bashkiake, me qytetarët dhe grupet e interesit. Më tej pritet miratimi i tij në Këshillin Bashkiak dhe Këshillin e Rregullimit të Territorit.

Nuk ka komente:

Posto një koment