e martë, 16 tetor 2012

Nikoliç: Mes BE-së dhe Kosovës zgjedhim Kosovën ...

Presidenti serb Tomisllav Nikoliç ka ritheksuar se nëse do t’i duhet të zgjedhë mes BE-së dhe Kosovës, Serbia do të zgjedhë këtë të fundit.

“Nëse zyrtarisht na paraqesin kushtin “Evropa ose Kosova”, atëherë ne do të heqim dorë nga rruga evropiane”, ka deklaruar Nikoliç për “Veçernje Novosti”... “E kam thënë këtë në fushatë dhe populli serb nuk do të befasohet nëse e propozoj më vonë”, ka vijuar presidenti për të përditshmen lokale.

Ai ka theksuar se nga ana e tij, Beogradi i ka arritur standartet që mund ta afrojnë me Bashkimin Evropian, por është Brukseli që sipas tij mban distancë për shkak të Kosovës.

“Mund të na mbajnë larg edhe 100 vjet, por ne prap nuk do ta ndryshojmë qëndrimin tonë”, ka shtuar Nikoliç në intervistën e dhënë.

Presidenti serb ka përsëritur kështu deklaratat e bëra më herët gjatë këtij muaji në një intervistë për Corriere Della Sera, ku thoshte se: “Evropa nuk duhet të na vendosë përballë kësaj zgjedhjeje: ose BE-në, ose Kosovën”.

“Nuk kam ndërruar mendim. Thash se, ‘nëse do të na duhet të heqim dorë nga Kosova, më mirë të harrojmë Evropën’, dhe unë i qëndroj ende kësaj deklarate”, tha atëherë Nikoliç.

Ndërsa kryeministri serb Ivica Daçiç është më tepër i mendimit se ndarja e Kosovës do të ishte zgjidhja më e mirë për dhënien fund të konfliktit mes serbëve dhe shqiptarëve.

Nuk ka komente:

Posto një koment