e martë, 16 tetor 2012

Blatter: Te çështja e Kosovës duhet pasur pak më shumë zemërgjerësi...

Kreu i shtëpisë botërore të futbollit FIFA, Sepp Blatter, ishte i ftuar në televizionin zviceran RTS për të folur për shumë çështje lidhur me futbollin. Njëra prej shumë pyetjeve që i është bërë atij ka pasur të bënte me futbollin e Kosovës... “Përfaqësuesja e Kosovës është një çështje që më ka prekur shumë. Do të vendosim në muajin dhjetor se a do të luajë Kosova ndeshje miqësore apo jo. Tash për tash, shteti i Kosovës nuk është i njohur nga Kombet e Bashkuara, që është njëri prej kushteve për pranim në FIFA. Besoj se te kjo çështje duhet pasur pak më shumë zemërgjerësi”, ka thënë Blatter.

Me propozim të vetë presidentit Blatter, Kosovës iu dha leja që të luajë ndeshje miqësore ndërkombëtare. Vendimi u mor më 22 maj në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s në Budapest të Hungarisë. Por pas reagimit të Serbisë dhe UEFA-s, vendimi u “ngri” derisa të plotësohet me modalitete që do të kënaqte të gjitha palët. Këto modalitete ishte paraparë të zbuloheshin në fund të shtatorit, por u shtynë për datën 14 dhjetor me arsyetimin se “është në të mirë të Kosovës”.

Ndërkohë, Presidenti i FIFA-s mendon se rivaliteti mes Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldo është diçka e jashtëzakonshme për futbollin. “Kemi përballë njëri-tjetrit dy futbollistë me lojë të ndryshme dhe ndoshta me personalitete në kontrast. Kjo është diça e mirë për futbollin, për mua është e jashtëzakonshme. Futbolli nuk mund të ketë vetëm një lloj lojtari. Mendoni sikur të kishte dy si Messi apo dy si Ronaldo. Nuk do të funksiononte. Messi dhe Ronaldo janë në pole të kundërta dhe është mirë që janë me personalitete të ndryshme”, deklaroi Blatter.

Messi dhe Ronaldo janë të dy kandidatë favoritë për “Topin e Artë”, çmim që portugezi e ka fituar në 2008, por që tre vitet e fundit e ka marrë ylli i Barcelonës. Për këtë çështje, Blatter deklaroi se nuk është FIFA që vendos se kush është më i miri, por janë federatat ato që votojnë.

Nuk ka komente:

Posto një koment