e diel, 14 tetor 2012

Kualicioni arnohet me deputetë...

Koalicionit PDK-AKR i janë bashkuar dy deputetë të pavarur, një ditë pasi Muhamet Mustafa dhe Amir Ahmeti vendosën të funksionojnë si deputetë të pavarur. Në këtë formë, koalicioni aktual është harnuar me deputetë minoritarë, të cilët kanë aderuar në Grupin Parlamentar të Koalicionit për Kosovën e Re...Zyrtarët e AKR-së kanë dalë në konferencë të shtunën dhe kanë njoftuar se Danush Ademi dhe Emilija Redzepi do të jenë pjesë e KKR-së.

Por, as me këtë dy deputetë, pozita në Kuvendin e Kosovës nuk e ka shumicën e deputetëve, pasi aktualisht në grupet parlamentare të PDK-së, AKR-së, SLS-së dhe Gjashtë Plusit janë vetëm 59 deputetë, shkruan Gazeta Express.

"Sipas të gjitha gjasave, do të ketë edhe tepricë të numrave. Dje kanë qenë 57, ndërsa nga sot 58. Nga nesër do të jenë 59, kur të zyrtarizohet edhe ardhja e deputetes Redzepi", ka thënë Myzejene Selmani e AKR-së.

Edhe Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci ka deklaruar se shumë shpejt do të ketë plotësim të numrit të deputetëve që do t’i bashkëngjiten shumicës.

“Brenda dy ditësh, do të bëhet një kompensim shumë i arsyeshëm i atyre deputetëve që pothuajse nuk kanë qenë asnjëherë me koalicionin”, ka thënë Grabovci për Express, të shtunën.

"Seancat e fundit kanë dëshmuar dhe vërtetuar atë që e kemi thënë më herët se koalicioni është stabil. Institucionet po ashtu janë stabile dhe të qëndrueshme, po i kryejnë punët e veta dhe nuk kemi kurrfarë shqetësimi deri më tash", ka shtuar ai.

Ky koalicion qeveritar ka pasur probleme me sigurimin e numrave prej se është formuar, por kanë qenë deputetët pa grup parlamentar, e edhe deputetë të partive opozitare që në raste të caktuara kanë mbështetur nismat e Qeverisë.

Aktualisht pa grup parlamentar janë dhjetë deputetë, në mesin e tyre: Muhamet Mustafa, Amir Ahmeti, Emin Gërbeshi, Aurora Bakalli, Agim Kuleta, Hamza Balje, Vesna Mikic, Vesemir Savic, Rada Trajkovic dhe Sreten Ivanovic.

Zyrtarët e AKR-së kanë thënë se edhe dikush prej deputetëve pa grup parlamentar do t’i bashkohet koalicionit.

"Këto prurje do të vazhdojnë me intensitet edhe më të shtuar, javën e ardhshme. Javën e ardhshme, pritet të vijnë edhe disa deputetë të pavarur në Grupin Parlamentar të KKR’së", ka thënë Myzejene Selmani.

Kjo zyrtare e AKR’së e ka lidhur me fatin e Kosovës koalicionin qeveritar PDK-AKR. Sipas saj, Kosova është në rend të parë, pastaj partia dhe programi.

Sidoqoftë, zyrtari i PDK’së, Adem Grabovci thotë se shumica e deputetëve në Kuvend janë pro Qeverisë.

Ai ka marrë shembullin e votimit të fundit në Kuvend, ku u rrëzua nisma e Lëvizjes Vetëvendosje.

"Jeni dëshmitarë se mocioni që u ngrit u bënë përpjekje që të gjithë të rreshtohen në një krah. Por, përkrahësit e Qeverisë dhe të nismave qeveritare mund të shihen në mënyrën e votimit", ka thënë Grabovci.

Në votimin e fundit kundër privatizimit në Kosovë, kanë votuar LDK’ja, Vetëvendosja si dhe disa deputetë të pozitës. Por, abstenimet e AAK’së kanë qenë vendimtare për të mos kaluar nisma e opozitës.

Ndryshe, koalicioni qeveritar PDK-AKR ka pasur probleme prej fillimit të formimit, kur patën zgjedhur Behgjet Pacollin në krye të Shtetit, pa i përfillur procedurat ligjore.

Po ashtu, pozita në Kuvend ka lëshuar dy herë seancat nga rreziku i mungesë së numrave. Hera e parë, ka qenë mocioni për shfuqizimin e vendimit të Mimoza Kusarit për çimenton, ndërsa herën e fundit, kur opozita nxori rezolutën për të kundërshtuar privatizimin

Nuk ka komente:

Posto një koment