e hënë, 8 tetor 2012

Juve E Pandalshme, Fitore Dhe Ndaj Sienës

Juventusi në kampionat mbetet e pathyeshme, duke triumfuar 2-1 edhe ndaj Sienës, në një ndeshje ku bardhezinjtë kanë vuajtur shumë.
Skuadra kampione e Italisë ka shënuar golin vendimtar vetëm 5 minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt, me anë të Klaudio Markizios, që vendosi një sfidë tej çdo parashikimi. Problemet e hasura në ndeshjen e Champions League kundër Shaktjorit janë lënë pas në kampionat, ku bardhezinjtë tregojnë sërish se mbeten më të fortët.

Në Siena megjithatë, fitorja nuk ka qenë për asnjë moment e sigurt. Andrea Pirlo gjeti golin e avantazhit në minutën e 14-të, pas një goditjeje dënimi të gjuajtur me zgjuarsi nën këmbët e murit mbrojtës. Goli i çliroi juventinët, por Siena nuk është dorëzuar për asnjë moment, duke luajtur në sulm ndaj kampionëve të Italisë.

Në fundin e pjesës së parë, kur trajneri Serse Kozmi ishte përjashtuar nga arbitri për protestat e vazhdueshme, Kalaio arriti të barazonte me kokë. Më pas gjërat u vështirësuan për Juven edhe pse Xhovinko pati dy mundësi të mira për të realizuar. Kur mendohej se ndeshja do të përfundonte në barazim, Klaudio Markizio arriti të realizonte me një gjuajtje fluturimthi në zonë, duke i dhënë një tjetër sukses “Zonjës së Vjetër”.

Nuk ka komente:

Posto një koment