e shtunë, 13 tetor 2012

Incidentet, shpallet “greva e vdekjes”...!!!

Dita e 21-të e grevës së urisë, konflikte të ashpra mes ish-të burgosurve politikë dhe policisë.

Ish-të dënuarit politikë: Afat deri sot pasdite, ose vetëflijim.

Në ditën e 21-të të grevës së urisë, ish-të dënuarit politikë që kërkojnë dëmshpërblim për vitet e padrejta në qelitë e diktaturës, shpallën “grevën e vdekjes”...
Vendimi për marrjen e aktit ekstrem të mohimit edhe të ujit të pijshëm erdhi pas një përplasjeje me policinë. Ishte ora 16:00 kur familjarë të grevistëve iu afruan shiritave rrethues, duke u kërkuar efektivëve që të mundësonin takimin, pasi prej dy ditësh askush nuk mund të afrohet më shumë se 20 metra. Po ashtu, edhe nëse merret miratimi për të hyrë brenda zonës së izoluar, askush nuk duhet të marrë me vete ushqim, celularë, aparat fotografik apo sende të tjera, që për policinë nuk janë të arsyeshme. Brenda 5 minutave, pas kontrollit të imtësishëm, u mor miratimi për hyrjen në oborr për të afërmit e grevistit Agim Kollçakut dhe fëmijët e Besim Valterit, por ata u ndaluan nga forcat e rendit që të hyjnë brenda tendës. Po ashtu, edhe ish-të burgosurit politikë janë ndaluar që të dalin jashtë dhe të takojnë familjarët, duke u sugjeruar atyre që të flasin në distancë. Kaq është dashur dhe ka nisur debati mes policëve dhe grevistëve, por që pushoi shumë shpejt, pasi efektivët ndryshuan qëndrim. Kollçaku dhe Valteri nisën të përqafoheshin me të afërmit, madje edhe duke qarë. Më pas, familjarët u dhanë atyre rroba për t’u ndërruar dhe disa lëngje, por këtu nisi sherri i dytë. Policët morën urdhër që t’i hidhnin e bashkë me to, edhe lëngjet e tjera brenda tendës së grevës, që ishin çaje. Me urdhër të kreut të Komisariatit Nr. 2, Erzen Breçani, efektivët u urdhëruan që të zbraznin në koshin e plehrave aty ngjitur çdo lloj lëngu nga shishet e grevistëve. Ky veprim irritoi jashtë mase ish-të burgosurit politikë, të cilët dolën nga brenda tendës duke hedhur në mes të oborrit të gjitha shishet e ujit dhe duke bërtitur që nga ai moment shpallin “grevën e vdekjes”. Grevistët e izoluar paralajmëruan se do të presin deri sot pasdite, para se të ndërmarrin akte ekstreme, ashtu siç vepruan ditë më parë 3 ish-të burgosur politikë që zgjodhën flijimin me vetëdjegie me benzinë.


Prokuroria liron Gani Aliun nga qelia


Prokuroria e Tiranës urdhëroi dje lirim të menjëhrshëm nga qelia për shtetasin Gani Ali, 58 vjeç, i përndjekuri jo grevist i cili tri netë më parë tentoi të vetëdigjej me benzinë. Policia kishte përcjellë dje në prokurori dosjen penale ndaj 58-vjeçarit me akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes të mbetur në tentatiuvë. Organi i akuzës ka vendosur lirimin e menëjhershëm nga qelia pë rtë përndjekurin si dhe mosfillimin e ndjekjes penale. Mbrëmjen e të enjtes, shtetasi Gani Ali, me banim në Tiranë, ish i dënuar politik por jo grevist, është lyer me benzinë dhe ka tentuar të hyjë në cadrat e improvizuara të grevës, me qëllim kryerjen e aktit të vetdjegjes. Në këtë situatë kanë ndërhyrë shërbimet e policisë dhe kanë neutralizuar këtë akt vetflijimi.

Gratë e grevistëve: Burrat do na vdesin nga uria, ose nga dhuna.

Skena e sherrit mes forcave të rendit dhe grevistëve është parë nga afër edhe nga familjarët e ish-të burgosurve politikë, përfshirë disa fëmijë të tyre. Bashkëshortja e Agim Kollçakut dhe e Besim Valterit janë kapluar nga paniku kur panë policët të konfrontoheshin trup më trup me bashkëshortët e tyre. Ato kanë tentuar që të hyjnë brenda, por janë ndaluar me forcë nga efektivët e tjerë. “Burrat do të na vdesin ose nga urie, ose nga dhuna e këtyre”, thirri fort gruaja e Kollçakut, teksa tregonte me gisht nga uniformat blu. “Mos i prekni me dorë, ndryshe do të hyjmë ne në vend të burrave”, paralajmëroi bashkëshortja e Valterit. Pas saj, fëmijët duket se ishin edhe më të acaruar, të cilët nisën të bërtisnin: “Do të hyjmë dhe ne, do të marrim dhe shokët”. Brenda pak minutash, rreth e rrotull u mblodhën edhe gratë e tjera të grevistëve, që pasi kishin parë nëpër televizione lidhur me incidentet, erdhën të siguroheshin që bashkëshortët e tyre nuk ishin dhunuar nga policia. Prej së largu, një nga një, të gjithë grevistët dolën në oborr, duke u thërritur nga larg familjarëve të tyre që janë mirë. “Vuajtëm 50 vjet me Enverin, vuajtëm dhe 22 vite në demokraci. Kemi 72 vite që veç vuajmë, nuk mbaj mend gjë tjetër qëkurse kam lindur”, thotë Asija, e ëma 73-vjeçare e grevistit Besim Volterit, duke shtuar se është shumë në merak për shëndetin e të birit. Ndërkaq, Albana, bashkëshortja e grevistit Fatmir Lloçi, ndihet krejt e pasigurt dhe në panik. “Qëkur ka hyrë në grevë, ndihemi keq, të tensionuar, nuk e dimë nëse do të dalë i gjallë që këtu gjallë”, thotë ajo, duke na informuar se në familjen prej pesë anëtarësh, vetëm njëri djalë punon si shpërndarës picash, ndërsa jetojnë në zyrat e ish NPV-së ushtarake.


Ramazan Spahiu refuzon spitalin
Një nga grevistët refuzoi mbrëmë që të shoqërohet në spital. Gjendja e Ramazan Spahiut, 75 vjeç, është rënduar së tepërmi dy ditët e fundit, edhe pse ka qenë edhe herë të tjera në spital për ndihmë të shpejtë. Mjekët kërkuan mbrëmë që ta shoqërojnë në spital, por ish-i dënuari politik refuzoi largimin drejt spitalit. “Policia na ka hequr dhe ilaçet që ne pinim, por ne nuk mund të ikim në spital, pasi policia nuk na lejon kthimin në tendë”, thanë grevistët.

Letër e hapur, thirrje për ndërhyrje
Ish-të burgosurit politikë, grevistët e urisë, bënë të ditur se policia po pengon zhvillimin e mëtejshëm të grevës së urisë duke u kërkuar largimin. Me letër të hapur, ata iu drejtuan Presidentit, Kryeministrit, ministrit të Brendshëm “që të ndihmojnë t’i jepet fund këtij trajtimi çnjerëzor”. Gjithashtu, ata kërkuan: “Nga të gjithë shqiptarët e ndershëm, të vuajtur e familjarë, u bëjmë thirrje që të vijnë, të jenë pranë nesh për të na mbështetur e garantuar që të mos dhunohemi nga policia”.

Panik për ndërhyrje gjatë natës
Kreu i Shoqatës së ish-të Burgosurve Politikë të Durrësit, Asllan Patrioti, që këto ditë po koordinon grevën në Tiranë me bashkëvuajtësin Skënder Tufa, thotë: “Duke marrë parasysh edhe shiun që ka filluar në Tiranë, forcat e rendit mund të ndërhyjnë në një aksion për largimin e grevistëve nga çadrat, duke i dhënë kështu fund grevës që sot mbyll ditën e 21-të të saj. Kemi frikë se policia mund të bëjë një aksion të fshehur në këtë shi. Mund të ndërhyjnë forcat speciale për t’i larguar. Policia mund të ndërhyjë me forcë për mbylljen e grevës”.

Nuk ka komente:

Posto një koment