e hënë, 15 tetor 2012

Gavazaj eurogol,Shqiperia U-19 fiton 3-1 Belgjiken...[VIDEO]

Gavazaj, Kabashi dhe Shehaj sigurojnë tri pikë.

Kuqezinjtë e vegjël kanë dhuruar spektakël dje në stadiumin e Vlorës, duke mposhtur Belgjikën me rezultatin e thellë 3-1...
Gavazaj, Kabashi e Shehaj ishin autorët e golave, ndërsa për belgët ka shënuar vetëm Kabasele. Me këtë fitore, 19-vjeçarët tanë mbajnë vendin e dytë në tabelën e klasifikimit, me vetëm një pikë më pak se Italia dhe tashmë duhet të marrin një tjetër fitore në takimin e radhës ndaj Bjellorusisë, në mënyrë që të sigurojë këtë pozicion në klasifikim, që do të thotë edhe një tjetër ndeshje finale për kualifikimin e përgjithshëm, duke supozuar gjithmonë se Italia do të fitojë ndaj Belgjikës.
Pjesa e parë – Loja nis e shpejtë nga të dyja skuadrat, por të parët që do të rrezikojnë janë belgët me anë të Krouç, i cili pasi kontrollon bukur topin, gjuan nga një pozicion i prirët me portën duke vënë në vështirësi Strakoshën, i cili arrin të grushtojë dhe të largojë rrezikun. Pas këtij momenti është radha e lojtarëve kuqezi që të reagojnë. Gavazaj, në krahun e djathtë të sulmit arrin të shmangë bukur dy kundërshtarë dhe hedh një top të bukur në zonë. Sfera kalon gjithë pasqyrën e portës dhe nuk arrihet nga askush. Minutat kalojnë dhe rastet për të dyja ekipet do të jenë sporadike, ndërkohë që në minutën e 26-të, Gavazaj do të bëjë mrekullinë. Lojtari kontrollon një top në një largësi rreth 30 metra nga porta, por duke parë edhe daljen e portierit belg, lëshon një silurë dhe e ndal topin në rrjetë. 1-0 për Kombëtaren shqiptare dhe në stadiumin e Vlorës ka festë.
Pjesa e dytë – Fraksioni i dytë i lojës do të jetë një fotokopje e të parit, ndërsa kuqezinjtë kërkojnë golin e dytë. Ky gol do të vonojë, pasi do të vijë në minutën e 76-të. Ahmedi, pasi ka mbajtur topin në zonën kundërshtare edhe pse është i rrethuar nga tre mbrojtës belg, rrëzohet nga këta të fundit dhe kryesori i takimit nuk heziton të japë 11-metërsh. Kabashi nga pika e bardhë nuk gabon dhe dyfishon shifrat. Tashmë fitorja duket e sigurt, por në tolerimin e parë që mbrojtja kuqezi bën, Kabasele ndëshkon pas një pasimi të marrë nga krahët dhe shkurton diferencën. Nuk mund të pajtohen lojtarët shqiptarë në asnjë mënyrë me këtë rezultat. Dhe Shehaj do të trefishojë në minutën e 80-të, pasi goditja e tij në kufijtë e zonës devijohet nga një mbrojtës përpara se të përfundojë në rrjetë. Pjesa e mbetur e ndeshjes është luajtur për statistikë, edhe pse rastet për shënim nga ekipi ynë kanë qenë të shumta.

Strakosha, i lumtur
Trajneri i Kombëtares shqiptare U-19, Foto Strakosha, ka përgëzuar ekipin e tij pas fitores mbresëlënëse me belgët. “Ishte një ndeshje e vështirë, por kemi bërë një skuadër të madhe që të vuajë. Jam i kënaqur për paraqitjen që bëri ekipi, megjithëse në disa raste mund të ishim treguar më të kujdesshëm. Jemi plotësisht në valle për vendin e dytë, ndaj shpresojmë që t’ia dalim”, është shprehur ish-portieri i shquar.

Gjika do Gavazajn
Enis Gavazaj, mesfushori i Kombëtares U-19, ka dhuruar spektakël dje në stadiumin e Vlorës kundër Belgjikës, duke shënuar edhe një gol të jashtëzakonshëm. Kaq ka mjaftuar që pas ndeshjes, presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, t’i bëjë një ofertë zyrtare futbollistit kuqezi që luan te Prishtina. “Po, është e vërtetë se Gjika më ka bërë një ofertë zyrtare”, ka thënë talenti nga Kosova pas ndeshjes.


Shqipëri – Belgjik 3-1
Golat: Gavazaj 26′, Kabashi 76′ (p), Shehaj 80′ / Kabasele 79′

Shqipëria: Strakosha, Muskaj, Syku, Bilali, Lundraxhiu, Gavazaj, Gino, Kabashi (Memini 90′), Ahmedi (Magani 84′), Vuthaj (Hoxhaj 81′), Shehaj. Trajner: F.Strakosha

Belgjika: Goblet, Malanda, Engles, Atheba, Vestraete, Krouç (Foket 46′), Origi, Shofs (Strom 74′), Sise (De Kegel 85′), Praet, Kabasele.

Kartona të verdhë: Kabashi 53′, Muskaj 63′, Shehaj 68′, Lundraxhiu 89′ / Atheba 32′, Engles 68′,

Nuk ka komente:

Posto një koment