e hënë, 15 tetor 2012

Belgjika drejt ndarjes...?

Bruksel, 15 tetor - Partia Nacionaliste Fleminge, e cila në programin e saj ka ndarjen e Belgjikës në dy shtete sovrane, arriti një fitore të bindshme në zgjedhjet vendore të zhvilluara ditën e diel...Të dhënat paraprake treguan se PNF-ja është tashmë partia më e madhe në krahinën flamande të Belgjikës.

Lideri i kësaj force separatiste, Bert De Wever, gjithashtu triumfoi në zgjedhjet për kryebashkiakun e Antverpit, qytetit të dytë më të madh port në Europë.

Fitorja e PNF-së përbën një shqetësim të thellë për Brukselin zyrtar, pasi tregon qartë se gjithmonë e më pak banorë besojnë tek “bashkimi në Europë”, duke përforcuar ndienjat nacionaliste.

Kjo fitore e flamandëve vjen në një moment kur rrymat separatiste në Europë po përhapen në rajone të ndryshme, me Katalonjën që po shqyrton idenë e shkëputjes nga Spanja, Skocinë që do të mbajë një referendum në 2014-n për shkëputjen nga Britania dhe problemet e përhershme në Ballkan.

Sipas ekspertëve, problemet e monedhës së përbashkët euro mund të thellojnë presionet nacionaliste në “kontinentin e vjetër”.

Një shtet me 11 milionë banorë, Belgjika është e ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë midis zonave frëngjishtfolëse, në jug të vendit dhe atyre flamande, në veri.

( Në foto: Lideri separatiste belg, Bert de Wever, që arriti një fitore që vë në rrezik Belgjikën e bashkuar në zgjedhjet vendore).

Nuk ka komente:

Posto një koment