e mërkurë, 10 tetor 2012

Fyle: Status Shqiperise per ne BE, por me kusht

Sipas vlerësimit përfundimtar dhe zyrtar të Komisionit Europian Shqipëria ka plotësuar katër prioritete që lidhen me funksionimin e Parlamentit, miratimin e ligjeve me 3/5, zgjedhjen e Avokatit të Popullit, dëgjimin dhe votimin në parlament për institucione kyçe, si dhe ndryshimin e kuadrit ligjor për zgjedhjet.

Në raport-progres vlerësohet se vendi është në rrugën e plotësimit të dy prioriteteve të tjera kyçe, që lidhen me administratën publike dhe përmirësimin e trajtimit të të paraburgosurve.

"Në kuadër të këtij progresi, Komisioni rekomandon që Këshilli duhet t’i ofrojë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, në varësi të plotësimit të masave kyçe në fushat e reformave të gjyqësorit dhe administratës publike dhe rishikimit të rregullores së parlamentit. Komisioni do t’i raportojë Këshillit sapo të arrihet progresi i duhur. Në raportin e tij, Komisioni do të marrë gjithashtu parasysh angazhimin e shfaqur nga Shqipëria për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, përfshirë hetimet proaktive dhe ndëshkimet e këtyre rasteve", tha Komisioneri Shtefan Fyle."Një fokus i veçantë kërkohet për zhvillimin e zgjedhjeve në përputhje me standardet europiane dhe ndërkombëtare; përforcimin e pavarësisë, efikasitetit dhe llogaridhënies së institucioneve gjyqësore; përpjekjet e vendosura në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë hetimet proaktive dhe ndjekjen penale; masat efektive për forcimin e mbrojtjes të të drejtave të njeriut dhe politikave anti-diskriminim dhe, zbatimin e të drejtës së pronës. Zhvillimi i suksesshëm i zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 do të jetë një test thelbësor për angazhimin ndërpartiak dhe reformën e re zgjedhore dhe një parakusht për çfarëdolloj rekomandimi për çeljen e negociatave. Dialogu i qëndrueshëm politik dhe vijimi i përpjekjeve në të gjitha fushat e mbulura nga prioritetet kyçe do të mbetet thelbësor për zbatimin e reformave dhe garantimin e të ardhmes europiane të Shqipërisë", tha Fyle.
Propozimi i Komisionit për status të kushtëzuar, i kalon tashmë për shqyrtim vendeve anëtare, të cilat për çështjet e zgjerimit, duhet të vendosin në unanimitet gjatë Këshillit të BE-së, në Dhjetor të këtij viti. Marrja e statusit do të varet nga plotësimi i reformave të mbetura, por dhe nga gadishmëria e ndjeshmëritë e secilit vend anëtar të BE-së ndaj zhvillimeve në Shqipëri.

Nuk ka komente:

Posto një koment