e enjte, 18 tetor 2012

Emigrantët, pas kthimit vetëm 5% duan të hapin biznes...

Shtohet numri i emigrantëve që regjistrohen pranë strukturave shtetërore për një vend pune. Sidomos vitin e fundit në Zyrat e Punës numri i tyre është rritur ndjeshëm. Nga të dhënat, 10-15% e të kthyerve u drejtohen sporteleve të migracionit pranë Zyrave të Punës, 58% e të cilëve kërkojnë të punësohen, 22% kërkojnë formim apo riformim profesional... “Rreth 5% janë të interesuar për hapjen e një biznesi, ndërsa pjesa tjetër është asistuar për mbështetje nga programet e ndihmës apo shërbimeve shëndetësore falas”, bën me dije Ministria e Punës. Sipas këtij dikasteri, Shërbimi kombëtar i punësimit nëpërmjet Zyrave të Punës zbaton programe aktive dhe pasive, nëpërmjet të cilave trajtohen mbi 2/3 e punëkërkuesve të papunë. “Këtyre personave u ofrohen shërbime të përshkallëzuara, si informim mbi tregun e punës, orientim për formim profesional, ndërmjetësim, pjesëmarrje në programe të nxitjes së punësimit, si dhe asistencë për vetëpu-nësim”, sqaroi Ministria e Punës. Nga programet e nxitjes së punësimit çdo vit përfitojnë punësim 1100-1500 punëkërkues të papunë nga grupet e veçanta. Zyrave të punës tashmë i drejtohen për të marrë shërbime jo vetëm punëkërkuesit pa profesion dhe arsim, por edhe të rinj të arsimuar. “Pranë nesh paraqiten nga të gjitha kategoritë dhe nga të gjitha moshat. Ne u japim përparësi kategorive në nevojë, si p.sh. romëve, viktimave të trafikut, emigranteve të kthyer etj. Por edhe moshave të mëdha (mbi 45 vjeç) për të cilat është e vështire të përshtaten në tregun e punës”, thotë Fatjon Dhuli, koordinator në Drejtorinë Rajonale të Punësimit Tiranë. Sipas tij, pjesa më e madhe e punëkërkuesve të papunë trajtohen me ndihmë ekonomike. Ministria e Punës nga ana e saj sqaron se tregu i punës pati një situatë të përmirësuar për 8 muajt e parë të vitit. Sipas këtij dikasteri, duket se rol të rëndësishëm ka luajtur sektori i turizmit. “Numri i të papunëve të regjistruar në Zyrat e Punës është 143 mijë. Numri i të papunëve që gjejnë punë nëpërmjet shërbimeve të punësimit (ndërmjetësim dhe nxitje punësimi) si dhe në mënyrë individuale, shkon në rreth 45% të totalit”, sqaruan specialistë të Ministrisë së Punës.

Nuk ka komente:

Posto një koment