e hënë, 15 tetor 2012

Balla akuzon sot Ministrine e Mbrojtjes për Nartën dhe Zvërnecin...

VLORË - Pas akuzave dje për shitjen e Karaburunit, pré e shitjes së dyshimtë dhe pa asnjë studim të mirëfilltë në funksion të zhvillimit të turizmit janë bërë edhe 350,000 metra katrorë prona të ushtrisë, që ndodhen në zonën e bukur të bregdetit të Nartës dhe Zvërnecit... Deputeti socialist Taulant Balla ka qenë sot në plazhin e Zvërnecit në Vlorë nga ku ka vijuar me denoncimin e radhës për atë që është shfaqur tashmë në sytë e shqiptarëve si një nga aferat më të mëdha korruptive të ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami. Ai ka theksuar faktin se ndërkohë që pretendohet se turizmi është një prioritet i zhvillimit të vendit, pronat bregdetare po shiten pa kritere dhe pa një plan apo studim për atë që do të ndodhë me to pas privatizimit.

“Sot jemi në një ndër plazhet më të bukura dhe sigurisht në të vetmit që kanë mbetur ende të virgjër, ende i pashfrytëzuar. Kodra përballë bën pjesë në një prej pronave të ushtrisë shqiptare të cilën Arben Imami po e bën gati edhe këtë për ta shitur. Ndërkohë që i gjithë ky plazh duhej të ishte pjesë e një studimi të plotë në kuadër të atij prioriteti që qeveria thotë se është turizmi”, është shprehur Balla.

Duke renditur listën e pronave që janë nxjerrë në shitje nga Ministria e Mbrojtjes, deputeti socialist u shpreh: “Bëhet fjalë për repartin e ish Artilerisë bregdetare që fillon prej Pusit të Mezinit në Vlorë, në Nartë dhe në Zvërnec, prej 209,300 metër katror. Më pas është një batalion tjetër, reparti 3080 prej 124,000 metër katror. Vazhdojmë me një bateri tjetër të artilerisë kundërajrore prej 24,000 metër katrorë. Pra siç e shikoni janë afërsisht 350,000 metër katrorë prona të ushtrisë, në administrim nga Ministria e Mbrojtjes, për të cilat Arben Imami ka filluar procedurën e shitjes, i ka kërkuar Ministrisë së Ekonomisë për të filluar shitjen e tyre.”

Pavarësisht fjalëve të qeverisë, sipas Ballës këto prona të ushtrisë shqiptare po shpërndahen pa asnjë qëllim strategjik apo nevojë komunitare, duke i shërbyer interesave të ngushta personale dhe jo interesit të përbashkët të të gjithë qytetarëve shqiptarë, duke shkuar përkundrazi kundër këtyre interesave të përgjithshme.

“Ndërkohë që, për këtë zonë, nga të paktat pjesë të bregdetit shqiptar do të duhej të bëhej një studim i plotë për zhvillimin e turizmit. Por në bajrakun që drejtohet nga Sali Berisha dhe administrohet nga pronari i Ministrisë së Mbrojtjes, Arben Imami, nuk ka më rëndësi as prona, as deti, dhe as zhvillimi i turizmit. Qeveria që tentoi të shiste detin dhe nuk ia arriti dot të shiste detin, sot po shet bregdetin”, e ka mbyllur fjalën e tij deputeti socialist, gjithsesi duke premtuar se denoncimet për abuzimin më pronat publike të shqiptarëve do të vijojnë edhe në ditët e ardhshme.

Nuk ka komente:

Posto një koment