e enjte, 11 tetor 2012

Një ish i dënuar politik, jo grevist tenton të vetëdigjet, neutralizohet

TIRANË- Një ish i dënuar politik ka tentuar të vetëdigjet mbrëmjen e sotme rreth orës 19:36 pak metra larg grevës, e cila po zhvillohet në dy çadra të improvizuara pranë zonës së Komunës së Parisit në Tiranë.

Ish i burgosuri politik Gani Aliaj,...
i cili nuk është pjesmarrës në grevën që prej 20 ditësh një grup ish- të burgosurish kanë ndërmarrë për plotësimin e kërkesave të tyre, ka shkuar pasditen e sotme për të takuar grevistët, por nuk është lejuar nga policia që të afrohet. Në këtë moment mësohet se Aliaj është lyer me benzinë në të gjithë trupin në tentativë për t'i dhënë flakë vetes, por menjëherë ka ndërhyrë policia që ka mundur të neutralizojë, duke mos e lënë të ndërmarrë aktin ekstrem.

Në pamjet e transmetuara nga TV 'NEWS 24' vihet re ish i përndjekuri, i cili neutralizohet nga forca të shumta policore, ndërkohë që dëgjohen thirrjet e tij se "nëse nuk digjet sot do të hidhet nga një lartësi diten tjetër".

Blutë e Tiranës kanë shoqëruar ish-të burgosurin në Komisariat, ndërkohë që ai pretendon se nuk ka marrë asnjë lekë për 20 vitet e burgut që ka bërë në kohën e diktaturës në Spaç. 58-vjeçari, Gani Aliaj është pjesëtari i tretë i kësaj shtrese shoqërore që ka tentuar vetëflijimin, edhe pse jo pjesë e grevës që disa ish- të përndjekur kanë ndërmarë prej 20 ditësh.

Pas incidentit ka reaguar edhe koordinatori i grevës së ish-të përndjekurve politikë, Skënder Tufa, i cili në një reagim për mediat ka theksuar se greva e tyre është ekonomike dhe jo politike.

Tufa, i ka bërë thirrje edhe një herë Kryeministrit Sali Berisha që të ulet e të dialogojë me grevistët për gjetjen e një zgjidhje të kësaj situate, e cila po i shtyn deri në vetëflijim në kërkim të gjetjes së një zgjidhjeje.

Nuk ka komente:

Posto një koment