e enjte, 18 tetor 2012

Katalonia, pavarësi në stilin e Kosovës....

Barcelonë, 18 tetor - Katalonia po përgatitet që të deklarojë pavarësinë nga Spanja në një mënyrë të ngjashme siç bëri Kosova, të paktën sipas raportimit të se përditshmes italiane “La Stampa”...
Sipas saj, politikanët katalanas janë duke punuar aktualisht për krijimin e një “Katalonie të Madhe”, e cila do të përfshijë pjesë të ishujve Baleare, rajonin e Valencias dhe mbase edhe disa krahina kufitare me Francën.

Deklarimi i pavarësisë është planifikuar të ndodhë në vitin 2014, nëse gjatë kësaj kohe nuk do të gjendet një konsensus i përbashkët me Madridin zyrtar.

Në dritën e fakteve, ka pak gjasa që lëvizja separatiste katalanase të gjejë kompromis me qeverinë qendrore dhe për këtë arsye qeveria lokale e Barcelonës mund të deklarojë pavarësinë, siç bëri Kosova në vitin 2008.

Nëse kjo do të ndodhë, do të jetë e rëndësishme për Kataloninë që të fitojë menjëherë disa njohje të rëndësishme ndërkombëtare, por ndonëse “precedenti kosovar” mund të përdoret për të shpallur pavarësinë e njëanshme, duket se ka pak gjasa që krahina të fitojë njohje të menjëhershme, transmeton Top Channel.

Katalonia po përballet me presione gjithmonë e më të mëdha separatiste, ndikuar nga ndjenja e fortë e përkatësisë kombëtare e popullsisë së rajonit dhe problemet e theksuara ekonomike të Spanjës.

Ndonëse është vetëm një prej 19 krahinave të Spanjës, Katalonia është më e pasura dhe dërgon në arkat e shtetit 20 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të të gjithë shtetit.

Përballë krizës së thellë që po përjeton vendi, katalanasit gjithmonë e më shumë vlerësojnë si të padrejtë që paratë e tyre të shërbejnë për të mbajtur në këmbë një shtet që, siç thekson “La Stampa”, ata ndjejnë se nuk i përkasin.

Nuk ka komente:

Posto një koment