e shtunë, 13 tetor 2012

Ish-të persekutuarit: "Do pimë ujë prej ilaçeve, por nesër grevë te Kryeministria"

TIRANË - Është ndërprerë 'greva e vdekjes' së ish-të persekutuarve. Vendimi që morën dje pasdite, për të mos pirë më as ujë, duket se ka rezultuar i pasukssesshëm. Për shkak se iu duhet të pijnë ilaçet, ata kanë qenë të detyruar të pijnë ujë...
Megjithatë sot gjendja e gjithë ish-të persekutuarve në grevë është e rëndë, fizkikisht dhe psikologjikisht, por më e rënduar paraqitet ajo e pesë grevistëve; Llazi Koçi, Besim Valteri, Fatmir Lloshi, Lavdosh Beko, Ramazan Spahiu, por ata kundërshtojnë dërgimin në spital për të marrë ndihmën e duhur mjekësore. “Ne kjo qeveri na ka dënuar me vdekje. Ky vendim është rrjedhojë e rrethanave në të cilat na ka çuar qeveria jonë”, shprehet ish-i persekutuari, Fatmir Lamaj. Nëse dje grevistëve në Tiranë iu bashkuan edhe 10 ish-të persekutuar të ardhur nga Korça, sot u shtua edhe një grup ish-të persekutuarish nga Vlora, mbështetje për grevistët. Ndërkohë, është larguar nga greva koordinatori i grevës, Asllan Patrioti, pasi shokët në çadër e akuzuan se 'ka bërë deklarata politike'. Ështyë larguar edhe Arif Beu, meqë e bija e tij gjendej në spital e sëmurë. Por që ka premtuar se sapo të shohë vajzën, do të rikthehet në grevë.

Koordinatori i grevës, Skënder Tufa, e quajti alarmante gjendjen e grevistëve në ditën e 22-të të grevës dhe ndërkohë i bëri apel qeverisë të nisë negociatat. Po ashtu, edhe vetë grevistët deklarojnë se, ata janë të vendosur që të vazhdojnë grevën deri në plotësimin e kërkesave. Shpresa e tyre e vetme mbeten ndërkombëtarët, përfaqësuesit e SHBA-ve dhe BE-së.

“Ndërhyrja e BE dhe SHBA na entuziazmoi dje për problemin, edhe Presidenti Nishani mbështeti grevistët. Por qeveria vazhdon të heshtë, ndërsa gjendja e grevistëve është rënduar. Bëjmë apel që greva të kthehet në normalitet. Të vazhdojmë bisedimet, të zgjidhen problemet tona”, tha Tufa.

Ambjenti i grevës së ish-të persekutuarve gjendet i rrethuar nga kordona policësh, të cilët nuk lejojnë asnjë komunikim me grevistët, e në ndonjë rast, as dhënien e ilaçeve mjekësore nga familjarët. Në mbështetje të grevistëve ka shkuar sot edhe përfaqësuesi i FRD-së Aleksandër Biberaj, i cili gjithashtu kërkoi që të gjendet një zgjidhje sa më e shpejtë.

“Nuk njoh as Edi Rama, as Sali Berisha, as Topi apo Aleanca Kuq e Zi. Unë njoh vetëm të persekutuar dhe kërkesat tona nuk janë politike, por ekonomike”, u shpreh Skënder Tufa.

Ndërkohë që kërkesat e tyre dhe pakënaqësia e tyre ekonomike e këtij grupi social është intensifikuar sidomos dy vitet e fundit. Përveç grevave të mëparshme, gati para dy vjetësh i njëjti grup kërcënoi me grevë urie në Bruksel, 'te Barroso', e pasqyruar ekskluzivisht nga gazeta 'Shekulli', tentativë që dështoi për mungesë financimesh. Më pas Gjergj Ndreca bëri një grevë urie i vetëm, pati konfrontime të herëpahershme edhe fizike me funksionarë të lartë të Shtetit përgjatë dy vjetëve, derisa mbërritën te incidenti i miellit ndaj makinës së Kryeministrit dhe greva e urisë, më e madhja e tyre, që kulmoi me ngjarjen tragjike të vetëdjegies së dy grevistëve; Gjergj Ndreca dhe Lirak Bejko, i pari i nisur dje për kurim në Greqi, i dyri në Itali.

Nuk ka komente:

Posto një koment