e mërkurë, 31 tetor 2012

Gjika i përgjigjet Berishës: Kush vjen me 27 Nëntor në Vlorë të marrë buk me vete...

Kreu i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i pranishëm në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, ka akuzuar qeverinë se nuk ka dhënë fonde për këtë bashki, për festimin e 100-vjetorit të Pavarësisë... Gjika tha se Berisha ka dhënë vetëm 39 milionë lekë të vjetra për Vlorën, ndërkohë që ngre shtatore për Zogun në Tiranë. Por, ai tha se Vlora do ta ngrejë vetë një shtatore për Ismail Qemalin në qytetin ku ai firmosi krijimin e shtetit shqiptar.

“Praktikisht, bashkia e Vlorës është me buxhet zero, sepse një akt normativ i ministrit Bode, një akt normativ i cili është bërë ‘de fakto’ pa marrë miratimin ‘de jure’ nga parlamenti shqiptar, e ka zeruar llogarinë e Vlorës, llogari e cila ishte parashikuar për 3 mujorin e katërt ashtu siç e parasheh ligji i financave të pushtetit vendor për të kryer investimet publike, të cilat do të ishin plotësisht në dispozicion dhe plotësisht në shërbim të organizmit festiv të 28 nëntorit.

Gjithsesi, unë besoj, që interesi dhe dëshira e qeverisë dhe e të ashtuquajturit kryetar të qeverisë shqiptare nuk ka për t’u realizuar. Unë ju siguroj ju të nderuar kolegë dhe ju kryetar i partisë që Sali Berishës, sot, nga kjo sallë do t’i jap një lajm të hidhur. Nuk do t’i realizohet misioni dhe dëshira e tij që të mos të mbyllen investimet publike në Vlorë. Do të realizohen dhe do të jenë gati brenda datës 10-15 nëntor. Ky, sa ç’është lajm i hidhur për Sali Berishën dhe qeverinë e tij, besoj është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë trojeve të Shqipërisë. Vlora do të jetë gati dhe Vlora është gati. Së pari me zemrën e madhe dhe zemrën e hapur të çdo familje vlonjate, ashtu sikurse dhe më të gjithë angazhimin dhe realizmin e të gjitha investimeve dhe aktiviteteve kulturore të cilat janë parashikuar dhe do të realizohen plotësisht brenda datës 28 nëntor. Unë kam dëgjuar dje shakanë e fundit të Sali Berishës, i cili merr përsipër që të na tregojë edhe anekdota që besoj as vetë nuk i beson, që Ismail Qemali na e paska bërë deklaratën e pavarësisë në Durrës, por duke qenë i trembur që mund t’ia vidhnin rrugës e ka lënë në Durrës dhe erdhi në Vlorë pa të. Unë jam i bindur që Ismail Qemali vetëm frikacak nuk ka qenë. Nëse Sali Berisha është i tillë dhe i lë dokumentet rrugëve është problem i tij. Ne e kemi mësuar historinë, e kemi dëgjuar historinë dhe e kemi prekur historinë për 100 vjet. Dhe kjo histori nuk ndryshon sipas tekave të Sali Berishë apo të kësaj qeverie, e cila është në ikje e sipër,” tha Gjika.

“Sali Berisha nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit ka akorduar rreth 5 milion euro për organizimin e ceremonisë festive këtu në Tiranë. Ndërkohë që për bashkinë e Vlorës ka akorduar vetëm 39 milionë lekë të reja. E, këto janë bërë aktive në thesar vetëm ditën e djeshme pas një debati të zjarrtë në këshillin bashkiak.

Sali Berisha është kujdesur që me këto para të taksapaguesve shqiptarë të bëjë shtatoren e Zogut, sepse ashtu e ka dëshirën ai personalisht. Ndërkohë që bashkia Vlorë, bashkë me qytetarët e Vlorës, nga të ardhurat e veta në 28 nëntor do të ngrejë shtatoren e Ismail Qemalit atje ku e ka vendin. Qeveria shqiptare është kujdesur që nga fondi prej 5 milionë euro që ka prekur nga rezervat e shtetit t’ia akordojë bashkisë së Tiranës si bashki që qenka në hall të madh financiar 160 milion lekë për dekorin. Ndërkohë që bashkia e Vlorës në hallet e saj, me pengesat që i bëhen në mënyrë artificiale nga qeveria shqiptare është kujdesur që të tenderojë dhe të prokurojë një dekor rreth 14 milion lekë të reja, i cili ka filluar të vihet në Vlorë dhe do të jetë absolutisht i gatshëm për datën 28 nëntor”, vijoi Gjika.

Gjika u ka bërë thirrje gjithë shqiptarëve të shkojnë në Vlorë më 28 nëntor për të festuar 100-vjetorin e pavarësisë.

Ai akuzoi Berishën se po shkel protokollin e shteti pasi në një ceremoni të tillë të drejtën e fjalës e ka Presidenti ndërsa Kryeministri është i ftuar. “Kush të vijë nga qeveria në 27 nëntor të marrë bukë me vete, dreka zyrtare do jetë më 28 dhe të gjitha ceremonitë do jenë në 28″, tha Gjika.

“Cilido shqiptar tjetër që do të vijë në datë 27 vlonjatët do t’u hapin derën dhe zemrën, ndërsa dreka zyrtare do të jetë në datë 28 dhe të gjitha ceremonitë do të jenë në datë 28.

Për ta mbyllur, nuk kuptoj dhe diçka tjetër. Flet kryeministri i Shqipërisë për protokollin e shtetit, dje, as më pak dhe as më shumë ka thënë ‘që nuk shmanget Vlora dhe unë nuk e shmang Vlorën nga protokolli i shtetit’.

Kush është ky që flet për protokollin e shtetit?! Nuk e di ky zotëri që në protokollin e shtetit të miratuar në vitin 2004 për festat jubilare është protokolli i Presidentit të Republikës. Ka president ky shtet apo jo?! Nuk mund të marrë përsipër kryeministri i Shqipërisë të flas për protokollin e shtetit kur figurë e parë në festat jubilare është Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe kryeministri është i ftuar, e fton Presidenti. Ku i merr atributet ky zotëri të bëjë ftesat kur nuk është zot shtëpie?”

Nuk ka komente:

Posto një koment