e mërkurë, 10 tetor 2012

Daçiç: Më mirë të na kërkohej njohja e Kosovës

Kryeministri serb, Ivica Daçiç ka deklaruar se raport-progresi i KE që i kërkon Serbisë që të respektojë integritetin territorial të Kosovës mund të çojë në fundin e dialogut me Prishtinën. “Jam shumë i trishtuar për këtë deklaratë, pasi ajo mund të ndikojë më shumë në mbylljen e dialogut Beograd-Prishtinë sesa në rifillimin e tij”, ka thënë Daçiç, i cituar nga “B92”.

Duke folur në një konferencë për shtyp, të mbajtur pasi Komisioni Evropian dorëzoi raportin që nuk rekomandonte datën e nisjes së bisedimeve, Daçiç është shprehur pesimist.

“Ndoshta do të kishte qenë më e ndershme që Serbisë t’i kërkohej të njihte Kosovën se sa të pranonte integritetin e saj territorial”, ka pohuar kryeministri serb.

Daçiç ka saktësuar se formulimi i “dëshpëruar” nuk ndodhej në raport-progresin e KE-së, por në një dokument tjetër të BE-së, pa përmendur se për cilin dokument bëhej fjalë.

Daçiç ka shtuar se do t’i kërkojë komisionerit për Zgjerimin, Shtefan Fyle, që do të mbërrijë në Beograd, të sqarojë nëse referimi “integriteti territorial” përbën një kusht të ri për Serbinë, që për Beogradin do të ishte “i papranueshëm”.

“Ne nuk mund të ndihmojmë Prishtinën të plotësojë pavarësinë e saj të njëanshme. Nëse ky formulim është keqinterpretuar nga ne, atëherë ne do të jemi gati të vijojmë dialogun me palën kosovare”, ka thënë Daçiç.

Kreu i qeverisë ka shprehur gjithashtu habinë e tij për mungesën e vlerësimit për përpjekjet e Serbisë për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian dhe për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën.

Në raportin e prezantuar në Bruksel, Komisioni Evropian nuk rekomandoi dhënien e datës për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Serbinë, por rekomandoi që Serbia të përmirësojë marrëdhëniet me Kosovën.

Nuk ka komente:

Posto një koment