e mërkurë, 7 nëntor 2012

Politikanët, pensioni 8-fish më i lartë se i qytetarëve...

Pensioni maksimal për një qytetar shqiptar nuk shkon më shumë se 24 mijë lekë në muaj, pavarësisht punës dhe masës së kontributit të derdhur prej tij në 35 vite punë... Megjithatë skema aktuale shqiptare bën përjashtime për ligjvënësit dhe qeveritarët. Privilegjet fillojnë që pa ardhur mosha e pensionit, kjo pasi në bazë të ligjit të pensioneve suplementare një deputet, qeveritar apo zyrtar i lartë i funksioneve kushtetuese, në rast se largohet nga detyra dhe fillon një punë tjetër me pagë më të ulët, përfiton menjëherë nga skema e sigurimeve diferencën mes pagës që ka pasur në funksionin shtetëror dhe pagës së re. Por një tjetër privilegj është ai i të drejtës për të përfituar pension që në moshën 55 vjeç. Sipas ligjit, një ish-deputet apo funksionar i lartë që largohet nga detyra në moshën 55-vjeçare ka të drejtë të përfitojë një pension të barabartë me 50 për qind të pagës së tij për tre vjet. E thënë në vlerë pagesa për një deputet, që ende nuk e ka mbushur moshën për të dalë në pension, arrin në rreth 60 mijë lekë për tre vjet. Privilegjet shtohen kur këta funksionarë mbushin moshën zyrtare të pensionit. Sipas ligjit, veç pensionit të zakonshëm, që merr çdo qytetar tjetër deputetët, qeveritarët dhe ish-zyrtarët e lartë kanë të drejtë të marrin pensionin shtesë, i cili rritet në përpjesëtim me vitet që kanë mbajtur në detyrë dhe mund të arrijë deri në 75 për qind të pagës së tyre ose deri në 120 mijë lekë në muaj. Për shembull nëse Kryeministri do të dilte në pension pagesa që do përfitonte sot do ishte rreth 170 mijë lekë ose tete herë më shumë se pensioni maksimal i një qytetari të zakonshëm. Ndërsa krahasuar me një pension mesatar në fshat shifra është 25 herë më e madhe. Ndryshimet ligjore që lidhen me këto privilegje, janë miratuar në të gjitha rastet me vota të plota në parlament.

Nuk ka komente:

Posto një koment