e enjte, 1 nëntor 2012

Ishulli, ku njerëzit harrojnë të vdesin... [Video]

Ishulli grek i Ikaria, me një sipërfaqe prej rreth 150 kilometra katrorë dhe me 10 mijë banorë, rreth 50 kilometra nga brigjet e Turqisë, përmendet qysh në Iliadë...
Sot, ky ishull është një nga vendet që zgjojnë interesin e shkencëtarëve për shkak të faktit se jetëgjatësia mesatare e njerëzve të këtij ishulli është shumë më e gjatë se zakonisht. Një njeri i këtij ishulli ka katër herë më shumë gjasa të përjetojë ditëlindjen e 90-të sesa një njeri në SHBA, krahas kësaj edhe me shëndet shumë më të mirë.

Ikaria është një ishull me sipërfaqe rreth 150 kilometra katrorë dhe 50 milje larg nga Turqia.

Një legjendë lokale tashmë është bërë një rrëfim për Stamatis Moratisu (96), emigrant në SHBA nga ishulli, të cilin në moshën 60 vjeçare mjekët amerikanë e kishin diagnostikuar me kancer në mushkëri. Në vend që të mjekohej atje, ai vendosi të kthehet në ishullin e lindjes së tij dhe në qetësi të vdiste në tokën e paraardhësve të tij.

Mjekët i kishin thënë se kishte edhe gjashtë muaj jetë, por ai duke ngrënë ushqim vendor dhe duke pirë verë e kuqe, në shoqëri me të afërmit dhe miqtë nga fëmijëria, rikuperohet dhe shërohet plotësisht dhe, u bë një prej prodhuesve më të mirë të verës në Ikaria.

Gjatë një vizite fëmijëve të tij, të rritur në Shtetet e Bashkuara, ai vendosi të vizitojë ish mjekët e tij dhe të kërkojë nga ata shpjegim për shërimin e tij, por sheh se asnjë prej tyre nuk është në mesin e të gjallëve.

Këtë rrëfim të bukur, të cilin e sjell "New York Times", e ka përvetësuar i gjithë ishulli, kurse shumë të moshuar nga Ikaria do ta tregojnë si një rrëfim personal.

Sigurisht se ekzistojnë shumë arsye për shërimin e Moratisu dhe për numrin e madh të 90-vjeçarëve, por edhe të 100-vjeçarëve në Ikaria.

Aty është ajri i pastër detar, dieta mesdhetare, vera vendore dhe ushqimi pa pesticide, mjalti dhe bimët mjekuese, puna e matur fizike në kopsht dhe vreshta, ritmi i ngadaltë i jetës, mungesa e stresit, gjumi i bollshëm dhe i shëndetshëm, klima shëndoshë sociale dhe shoqërimi i rregullt me miqtë dhe të afërmit. Mirëpo, asgjë nga këto, mbase nuk do të ishte e mjaftueshme në vetvete.

Ishulli fqinj Samos, për shembull, ka klimë dhe ajër të njëjtë edhe ushqimi është pothuajse i njëjtë, por jetëgjatësia atje nuk është mbi mesataren për Greqinë.

Për shkak të erërave të pafavorshme dhe mungesës së porteve natyrore, Ikaria, gjatë historisë është dashur të kënaqet me resurset e saja në çdo aspekt. Ajo ka mbetur mbrapa sa i përket zhvillimit modern.
Shumica e popullatës lokale atje vetes mund t’i ofrojë kënaqësinë e gjumit të qetë në mëngjes dhe pushimit të gjatë të pasdites, perime nga kopshti të cilën e kultivon me duart e tij dhe verë nga vreshta e vet. Aty janë dhitë në stallë dhe derrat. Prandaj, edhe përkundër papunësisë së lartë, rreth 40 për qind, njerëzit nuk ndihen të kërcënuar.



Në shumicën e familjeve jetojnë së bashku tre breza. Të afërmit dhe fqinjët e ndihmojnë njëri-tjetrin, kurse shumica, përveç zejes themelore dhe kopshtit që kultivojnë, kanë edhe ndonjë zanat tjetër apo ndonjë shkathtësi me të cilën arrijnë të krijojnë të ardhura shtesë, si: elektricist, instalues uji, rrobaqepës...

Siç tregon përvoja nga vendet e tjera në të cilat jetohet shumë gjatë (Okinawa, Kaukazi, mali Nuoro në Sicili, ose gadishulli Nikoja në Kosta Rika, i rëndësishëm është fakti se të moshuarit paraqesin pjesën e vlerësuar të komunitetit. Ata nuk janë të lënë mënjanë dhe të vetmuar, por deri në vitet e fundit të jetës janë aktivë dhe të përfshirë në të gjitha proceset shoqërore.

Kjo u jep atyre atë që në Okinawa e quajnë "ikigai" - një arsye që në mëngjes të ngrihen nga shtrati – kurse në Kosta Rika "plan de vida" – plani i jetës - ose si themi ne, kuptim i jetës.

Shkencëtarët besojnë se receta për jetëgjatësi është një kombinimi i të gjithë këtyre faktorëve,kurse vetë Ikariasët jetëgjatësinë e tyre ia atribuojnë verës së kuqe vendore, ose nuk kanë asnjë ide se si ta shpjegojnë. “Vërtetë nuk e di. Ndoshta thjesht harrojmë për të vdekur”, thotë një grua plakë e këtij ishulli.

Nuk ka komente:

Posto një koment