e martë, 6 nëntor 2012

E ftoi për Kurban Bajram, e mban peng dhe e përdhunon për nëntë ditë...!!!

Vajza 27-vjeçare arrin të arratiset, pasi e godet me hekur në kokë pengmarrësin 37-vjeçar Dritan Manaj

Ishin njohur nëpërmjet telefonit dhe ai i kishte premtuar se do të martohej me të. Madje, më 25 tetor, e ka ftuar për festën e Kurban Bajramit në shtëpi, por që nga ai moment, vajzës 27-vjeçare i është kthyer gjithçka në ferr... Personi që i premtoi jetë të lumtur, e ka mbyllur brenda në shtëpi, e ka përdhunuar, e ka droguar dhe e ka kërcënuar se do e vrasë nëse guxonte të largohej. Vuajtja e vajzës ka vijuar deri para dy ditëve, kur ajo ka gjetur një moment dobësie të rrëmbyesit dhe dhunuesit të saj, të cilin e ka goditur me një hekur pas koke dhe është arratisur nga dritarja e shtëpisë private në një fshat të Vlorës.

E përdhunon dhe e drogon

Krimi makabër, që dyshohet për shkak të shenjave të dhunës në trupin e vajzës 27-vjeçare, ka ndodhur në fshatin Peshkëpi të Komunës Vllahinë. Dritan Manaj, i dënuar më parë për shitje të lëndëve narkotike dhe i dyshuar për lidhje të një bande të njohur kriminale, sapo ishte kthyer nga Greqia. Nëpërmjet telefonit, rreth 3-4 javë më parë, ai është njohur me vajzën 27-vjeçare, me iniciale A.B., nga Vlora dhe bashkë kanë krijuar një lidhje intime. Për festën e Kurban Bajramit, ai e ka ftuar vajzën e re në shtëpinë e tij, por që nga ai moment, nuk e ka lejuar të dalë më jashtë. Nën kërcënimin e armës, ai ka kryer marrëdhënie seksuale kundër dëshirës së saj, ndërkohë që i ka marrë telefonin, me qëllim që ajo të mos lidhet me familjen. Sa herë ajo kundërshtonte, ai mendohet se e godiste me mjete të ndryshme, duke e kërcënuar se do e vriste nëse largohej nga shtëpia private në fshat. Madje, sipas dëshmisë së vajzës së dëmtuar, ai i kishte mbyllur të gjitha dyert me çelës. Sipas saj, dhuna ka vazhduar deri mëngjesin e para dy ditëve, ndërkohë që në disa raste, teksa ai tymoste hashash, e ka detyruar edhe atë që të pinte, duke i sjellë gjendje jo të mirë nervore.

Arratisja dhe arrestimi

Kjo situatë ka vijuar deri mëngjesin e para dy ditëve, pikërisht të shtunën. Vajza 27-vjeçare ka gjetur një moment përgjumjeje të 37-vjeçarit Dritan Manaj, dhe ka marrë një hekur, që ndodhej pranë dhomës, ku mbahej e mbyllur. Në ato momente, ajo e ka goditur me hekur pas koke rrëmbyesin e saj dhe është arratisur nga dritarja. Sapo ajo ka dalë jashtë, ka kontaktuar me një makinë private dhe është rikthyer e tmerruar në banesën e saj, duke u rrëfyer të afërmve se çfarë i kishte ndodhur. Pa kaluar shumë kohë, ajo është paraqitur në polici dhe ka treguar me detaje tmerrin e përjetuar gjatë nëntë ditëve. Madje, sipas burimeve policore, ajo kishte shenja të shumta dhune në trup. Menjëherë policia ka identifikuar autorin e dyshuar të ngjarjes, i cili rezulton se është dënuar më parë për mbajtje dhe shitje të lëndëve narkotike. Uniformat blu kanë ndërmarrë një aksion në banesën e tij, ku kanë gjetur një armë automatike dhe një sasi hashashi, por 37-vjeçari ishte fshehur. Pas disa orësh, policia arriti ta gjejë të strehuar rreth dy km larg banesës së tij dhe ta arrestojë për përdhunim, pengmarrje, armëmbajtje pa leje dhe mbajtje të lëndëve narkotike. Megjithatë, ai nuk ka pranuar asnjë prej këtyre veprave penale, duke pretenduar se vajza ka shkuar me dëshirën e saj, ka qëndruar në shtëpinë e tij pa presion dhe që të gjitha akuzat e 27-vjeçares janë trillime. Por, prokurori ka vendosur që Dritan Manaj të arrestohet.

Nuk ka komente:

Posto një koment