e hënë, 8 tetor 2012

Vetëdigjet grevisti i urisë

Një nga ish-të burgosurit politikë, Gjergj Ndreca, ndër organizatorët kryesorë të grevës së urisë, i ka vënë flakën vetes në tentativë për t'u vetëflijuar.
Ndreca ka vendosur të ndërmarrë aktin e vetëflijimit në gjendje të dëshpëruar. Ndreca mësohet se eshte lyer me benzine, ndersa nje tjeter grevist i ka vënë atij flaket. Menjehere pas ketij akti, grevistët e tjerë kanë ndërhyrë për të shuar flakët. Mësohet se në tentativë për të shuar flakët, grevistit Llazi Koçi, i ka rënë të fikët.



Ish i burgosuri politik Gjergj Ndreca eshte derguar menjëherë në repartin e djegieve në QSUT me makina të rastit, ku mësohet se gjendja e tij eshte e rende. Sipas burimeve spitalore, Ndreca ka pesuar djegie ne 50 per qind te trupit.

Ata kanë nisur një grevë urie që prej mbrëmjes së 22 shtatorit dhe kërkojnë nga qeveria mbajtjen e premtimeve për shpërndarjen e dëmshpërblimin të viteve të burgut.

Ish-të përndjekurit: Ndrecës ja vuri flakën Berisha

Ashtu siç ishte paralajmëruar një ditë më parë, ish-të përndjekurit politikë kanë zhvilluar një protestë përpara Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë. Protesta ka nisur me pak minuta vonesë pas aktit ekstrem të ndërmarrë nga grevisti Gjergj Ndreca. Miqtë e tij kanë fajësuar qeverinë për heshtjen dy javore, ndërkohë kanë kërkuar më tepër sensibilizim nga qytetarët.

“Gjergj Ndrecës ja vuri flakën Sali Berisha, se ishte flakë e paralajmëruar dhe qeveria tha se kanë hyrë vetë. Por, çfarë kërkonte ky kryeministër kriminel. Gjergj Ndrecën e dogji edhe indiferenca jonë. Nëse në këto 22 vjet do ishim në këmbë nuk do ishim këtu”, u shprehën protestuesit.

Ish-të përndjekurit deklaruan se do të vazhdojnë të protestojnë derisa të marrin zgjidhje kërkesat e tyre për kthimin e dëmshpërblimit për vitet e burgut, respekti i figurës së tyre dhe kërkesa për hapjen e dosjeve.

Ish i përndjekuri Skënder Tufa, kërkoi sensibilizimin e të gjithëve, pasi sipas tij kërkesat e tyre janë të njëjta me ato qytetare.

“Sot kemi aktin sublime të Gjergj Ndrecës. Ndreca iu përgjigj heshtjes së qeverisë me vetëmohim. Sot është cënuar demokracia. Kjo është gjendja e demokracisë reale. Ne të burgosurit politikë po ju japin shembullin se kjo është dhunë. Një pensionist që nuk pi kafe, i papunë, minator, rinia aktive, të gjithë të bëhemi bashkë dhe ti japin një apel opinionit kombëtar dhe ndërkombëtarë. Kush e ndjen shtypjen çdo ditë të ngrihet”, tha Tufa.

Ai i ka bërë thirrje policisë e cila sipas tij mban në vëzhgim të plagosurit në spital si dhe grevistës në tubim , të largohet. “Gjendja e Ndrecës është e rëndë. Hyrja e spitalit është bllokuar me policë. Sa të mbarojmë tubimin ne do shkojmë atje dhe do hyjmë me dhunë. Policia na ka rrethuar, të largohet policia. I bëjmë apel qytetarëve që çdo të hënë të bashkohen me në tek kryesia e kuvendit dhe çdo të enjte të jemi bashkë tek Parlamenti. Mos të bëjë gabim të prekë njeri me dorë grevistët, se këtu është demokracia”, ka thënë Tufa.

Nuk ka komente:

Posto një koment