e enjte, 11 tetor 2012

Kredia e re për biznesin ruan rritjen, pavarësisht krizës...!!!

Megjithë vështirësitë e ekonomisë, sistemi bankar vazhdon ta kreditojë biznesin. Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, për 8-muajt e vitit... kreditimi i sipërmarrjes rezistoi në rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndonëse tre muajt e fundit kanë shfaqur një ecuri mjaft të plogësht. Për tetë muajt e parë të vitit, bankat kanë dhënë 148 miliardë lekë kredi për biznesin, me një rritje 2.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Përgjithësisht kredia e re është për nevoja afatshkurtra, ndërsa kriza ka bërë që projektet e investimeve të jenë më të pakta.

“Pjesën e luanit” në kredinë e re vazhdon ta marrë tregtia. Për tetë muajt e parë të vitit, sektori i tregtisë përfitoi 61.3 miliardë lekë kredi, me një rritje 7.2% ndaj të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Tregtia zë mbi 41% të totalit të huasë së re për biznesin, duke ngelur sektori më i kredituar i ekonomisë. Ashtu si edhe në muajt e mëparshëm, kreditimi në sektorët prodhues të ekonomisë është në rënie, për shkak të rënies së volumit të aktivitetit si rrjedhojë e krizës. Kredia e re për industrinë përpunuese ra në 18.6 miliardë lekë, ndërkohë që një vit më parë kishte vlerën e 21.4 miliardë lekëve.

Kredia e re për ndërtimin kishte vlerën e 17.7 miliardë lekëve, 6.2% më pak se një vit më parë. Kredia e re për sektorin e prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike ra në 8.8 miliardë lekë, nga 9.6 miliardë që ishte një vit më parë. Në një vështrim të përgjithshëm, kreditimi pasqyron atë që është tendenca e ekonomisë shqiptare gjatë këitj viti. Sektorët prodhues po vuajnë më shumë rënien e kërkesës për shkak të krizës. Sektori bankar, ndonëse me një kujdes të shtuar, vazhdon të kreditojë ekonominë aty ku kërkesa e tregut është më e përqëndruar dhe ku aktiviteti ekonomik shfaq më shumë gjallëri.

Nuk ka komente:

Posto një koment