e shtunë, 13 tetor 2012

Dhjetëra arrestime për shfaqjen e Laert Vasilit në Athinë...

Me një prani të madhe të policisë jashtë teatrit “Xitirio”, u realizua më në fund mbrëmë rreth orës 23:00, shfaqja e "Corpus Christi", vënë në skenë nga regjisori shqiptar, Laert Vasili.

Policia mori masa të papara sigurie, në mënyrë që të shmangte episodet, por situata ishte e ngjashme me atë të një nate më parë.

Rreth 200 artistë dhe anëtarë të organizatave të majta u mblodhën jashtë teatrit në mbrojtje të artistëve të trupës, ndërkohë që rreth 100 njerëz protestuan, duke bërtitur parulla. Vonë në mbrëmje, rreth orës 22:00 forcat kundër trazirave, MAT, përdorën kimikate për të zbrapsur kundërshtarët e shfaqjes disa metra. Policia shkoi në rreth 40 arrestime, kryesisht anëtarë të organizatave parakishtare.

"Greqia është vendi ku lindi teatri dhe s'mund të jetë privilegj i një grupi të vogël njerëzish, të abuzojnë me himnin kombëtar dhe besimin ortodoks", tha për mediat drejtori i trupës, Laert Vasili.

Ministri i Drejtësisë, Antonis Rupakiotis, në një letër prokurorit të Gjykatës Supreme, kërkon të dijë a është informuar prokurori për ngjarjet në teatrit “Hitirio”, dhe nëse po, përse nuk ka ndërhyrë.

Policia ngriti akuza kundër deputetit të Agimit të Artë, Kristos Papas, pasi ai një natë më parë pengoi përpjekjet e oficerëve për të kapur një protestues jashtë Teatrit. Deputeti tjetër i Agimit të Artë, Elias Panagiotaros është akuzuar se ka kërcënuar aktorët në lojë, duke u thënë atyre, "Koha juaj do të vijë". Ndërkohë zëdhënësi i partisë, Ilias Kasidiaris ka deklaruar se Agimi i Artë "do të ndërhyjë me forcë sa herë që ndjeshmëritë fetare dhe historia e përbashkët e grekëve të ofendohet".

Një gazetar i revistës “Life”, Manolis Vamvounis, i cili ishte jashtë teatrit në natën e së enjtes, shkroi në Twitter se janë rrahur nga protestuesit, ndërsa oficerët e policisë qëndruan indiferentë.

Një grua me shtetësi të dyfishtë (greke dhe britanike) u ankua në ambasadën britanike se ishte ndaluar nga pesë persona që i kërkonin për të parë kartën e saj të identitetit dhe e detyruan të flasë greqisht para se ta linin të lirë. Ambasadat e huaja në Athinë kanë marrë ankesa nga qytetarët e tyre se anëtarët e Agimit të Artë iu kanë kërkuar atyre për t’iu kontrolluar kartat e identitetit.

Ndërkaq kryetari i Bashkisë së Athinës, Jorgos Kaminis iu dërgoi një apel qytetarëve që "t’i rezistojnë obskurantizmit”. Nisur nga ngjarjet e netëve të fundit në teatrin “Hitirio”, z. Kaminis deklaron se "është koha që qytetarët e lirë dhe qeveria greke të pohojnë përkushtimin e tyre ndaj demokracisë, lirisë, ligjshmërisë dhe ndaj lirisë së fjalës."

Nuk ka komente:

Posto një koment